E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondet për virusin AH1N1, Shehu: I kemi financimet

Ministria e Financave deklaron se i ka të gjitha fondet që duhen për të përballuar prekjen e Shqipërisë nga gripi i derrit. Zv.ministri Shehu garanton se Ministrisë së Shëndetësisë do t’i jepen fondet që do të kërkojë në varësi të situatës. 

TIRANE- Ministria e Financave garanton se i ka të gjitha fondet e nevojshme për të përballuar prekjen e Shqipërisë nga pandemia e gripit të derrit. Zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu deklaron për televizionin “News24” se Ministria e Shëndetësisë ka tashmë dy programe që po zbaton dhe në rast se ajo do të ketë nevojë për financimet, do t’i akordohet fondi prej 2.5 milionë dollarë që ka mbetur nga projekti i gripit të shpendëve dhe më pas mund të preket edhe fondi rezervë dhe ai i kontigjencës, me vlerë totale prej 6.5 miliardë lekë, në rast se situata do të rëndohet.

“Nëse OBSH-ja e kualifikon këtë si vaksinim të detyrueshëm, qeveria do të ndërhyjë në dy forma. Së pari me programin që është aktualisht në buxhet për vaksinimet e detyrueshme, por edhe me shtimin e fondeve në varësi të përmasave. Mundësitë e buxhetit do të përdoren në kohën e duhur. Më parë do të përdoren programet ekzistuese brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë, më tej ne do të vazhdojmë me alokim të fondeve shtesë nga buxheti i shtetit, fondi shtesë i qeverisë ose nga kontegjencat”- theksoi Zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu.

Sipas numrit dy të dikasterit të financave, Shehu deklaron se Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë kërkesë zyrtarë për shtim fondesh, por ka vënë në dijeni këtë institucion për situatën.

“Ministria e Shëndetësisë thjeshtë na ka bërë njoftime të jemi të përgatitur, por rekomandimi ynë është që më parë duhen shfrytëzuar burimet që janë në dispozicion. Kur te vi momentin i trajtimit të popullsisë në masë ky do të jetë një vaksinim që do të kryhet nga privati”- tha Shehu.

Drejtuesit e Ministrisë së Financave shprehen se në rast se Organizata Botërore e Shëndetësisë do të kërkojë vaksinimin e detyrueshëm për të gjithë popullsisë kundër virusit A- H1N1, atëherë do të lëvrohen menjëherë të gjitha fondet që kërkohen. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›