E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë: Vendimet, në pavarësi të plotë

Gjykata e lartë është shprehur sot nëpërmjet një deklarate se nuk do ti nënshtrohet asnjë presioni ngado qoftë ai, si nga politika ashtu dhe nga media, ndërkohë që i ka bërë thirrje politikanëve të denoncojnë fenomenet e korrupsionit. 

TIRANE- Gjykata e lartë është shprehur sot nëpërmjet një deklarate se nuk do ti nënshtrohet asnjë presioni ngado qoftë ai, si nga politika ashtu dhe nga media.
Duke pranuar edhe faktin se në rradhët e gjyqësorit ekziston fenomeni i korrupsionit, kjo sipas Gjykatës së lartë nuk duhet të përbëjë argument nga njerëz të veshur me pushtet për akuza të padrejta, përsa kohe sipas saj organet e specializuara punojnë për plotësimin e detyrës së tyre në luftë kundër korrupsionit.

Gjykata e lartë fton politikanët të denoncojnë pikërisht në organet e drejtësisë fenomenet e korrupsionit dhe të injektojnë në publik idenë se janë pikërisht këto organe që i japin përgjigje këtij fenomeni.
“Qytetarët shqiptarë duhet ta gjejnë zgjidhjen tek drejtësia dhe jo tek sekserët “ thuhet në deklaratën e Gjykatës së lartë. Vendimet e Gjykatës së lartë, thuhet në deklaratë, janë të bazuara në ligj, ky institucion ka integritet të plotë, imunitet dhe garanci kushtetuese dhe ligjore, të cilat mundësojnë organizimin dhe funksionimin sipas standarteve të avancuara.

(e.n/News24/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›