Fondi BESA, aktivitet për promovimin e klientëve
• Fondi BESA organizoi dje një aktivitet në kuadër të promovimit të një pjese të klientëve të tij, kryesisht të klientëve të përsëritur, të cilët kanë marrëdhënie të qëndrueshme, të suksesshme dhe afatgjata me fondin BESA.Në takimin, që është i pari i këtij lloji, por që do të pasohet edhe nga takime të tjera në vazhdimësi, promovohen klientë që kanë marrë 7 deri në 11 kredi pranë fondit BESA. "Ajo çfarë ne vlerësojmë është se partneriteti dhe bashkëpunimi me klientelën tonë është ndër elementët më të rëndësishëm të suksesit tonë afatgjatë, ku siç dihet fondi BESA kohët e fundit u selektua nga "Forbes" si një ndër 50 institucionet mikrofinanciare më të mira në botë", thanë përfaqësuesit e fondit BESA. Aktualisht ky fond ka 10.000 klientë aktivë me një tepricë kredie rreth 40 milionë USD, ndërsa që nga fillimi i aktivitetit e deri tani janë dhënë rreth 38.000 kredi, me një shumë prej rreth 200 milionë USD. Fondi BESA nisur nga eksperienca dhe rezultatet e deritanishme, nga impaktet dhe rezultatet në fushën e punësimit dhe rritjes ekonomike vlerëson se në strategjinë e saj afatgjatë fokusi dhe orientimi do të jetë drejt tregut të mikrofinancës, duke e plotësuar më tej gamën e produkteve dhe shërbimeve. Partnerët e fondit BESA janë qeveria shqiptare, Banka Botërore, SCA Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit, fondacioni SOROS dhe së fundmi CEB Banka e Këshillit të Evropës. Gjithashtu, ky fond ka një partneritet të qëndrueshëm edhe me banka që operojnë në tregun shqiptar. Ai ka marrëdhënie bashkëpunimi në implementimin e dy projekteve, respektivisht me ILO dhe OSCE.