Shtëpitë e privatizuara, ja sa taksë do të paguajnë
• Nga udhëzimi i para dy ditëve i Financave dhe Drejtësisë, janë penalizuar mbi 200 mijë pronarë apartamentesh.Të paktën të gjithë ata që kanë privatizuar shtëpitë gjatë viteve 1992-1996, do të paguajnë shumë herë më tepër tatim për shtetin në rast shitje të apartamentit. Duke qenë se apartamentet janë privatizuar me një çmim simbolik, 20-30 mijë lekë, në udhëzim është përcaktuar një tjetër çmim minimal fiskal për to. E thënë më thjeshtë, nga dalja e udhëzimit, të gjithë ata që shesin shtëpi do të paguajnë 10 për qind të diferencës mes çmimit të blerjes dhe shitjes. E njëjta gjë ndodh edhe me tokën dhe trojet. Por në udhëzim janë parashikuar çmime dysheme shitjeje. Pra, nuk lejohet që shtëpia të shitet nën një çmim të caktuar nga qeveria. Në udhëzim, Tirana është ndarë në 31 zona dhe për të gjitha është përcaktuar një çmim reference. Mesatarisht, çmimi minimal i lejueshëm për shitjen e një metri katrorë shtëpi në Tiranë është 88.823 lekë/m2. Pra, mesatarisht 100 metra katrorë apartament në Tiranë, sot minimalisht duhet të shiten me 8.8823 milionë lekë. Ndërkohë që ky apartament, i privatizuar në vitin 1992-‘96, është blerë me një çmim prej rreth 25 mijë lekë. Diferenca në këtë rast mes çmimit të blerjes dhe atij minimal të shitjes është shumë e madhe, si rrjedhojë edhe pagesa e taksës 10 për qind mbi fitimin është shumë e madhe. Për të korrigjuar këtë, financat menduan të indeksojnë çmimet e vitit 1992-1996. Por në udhëzimin e ri të dalë para dy ditësh, indeksimi nuk kishte ndodhur. Në të kundërt, në udhëzim theksohet se “Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 ‘Për privatizimin e banesave shtetërore’ i ndryshuar, për efekt të përcaktimit të tatimit për kalimin e së drejtës së pronësisë, si vlerë minimale në blerje do të merret kosto mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM nr. 815 datë 09.12.1996". Në tabelën e vendimit të vitit 1996, çmimi i sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave është 16.664 lekë/m2. Në po të njëjtin vendim theksohet se çmimi mesatar për metër katrorë sipërfaqe të shfrytëzuar, sipas tregut në Tiranë është 22.460 lekë për metër katrorë. Sidoqoftë, udhëzimi i Financave e shpreh qartë se çmimi minimal fiskal do të jetë, “kosto mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave, në VKM nr. 815 datë 09.12.1996”, pra 16.664 lekë/m2. Pra, mesatarisht, në Tiranë një pronar shtëpie të privatizuar gjatë viteve 1992-1996, do të duhet ta shesë apartamentin me një çmim minimal të lejueshëm prej udhëzimit me 88.823 lekë/m2 dhe e ka blerë atë me 16.664 lekë/m2. Diferenca, prej 72.159 lekë/m2, përbën fitimin. Tatimi që duhet të paguhet në këtë rast është 10 për qind e fitimit për m2, pra 7215.9 lekë për metër, ose 58 euro. Kjo shumë duhet të shumëzohet me sipërfaqen e shtëpisë që blihet. Në tabelat që botohen në gazetë janë edhe çmimet minimale fiskale për Tiranën dhe rrethet gjatë viteve 2003-2007, si dhe çmimet fiskale minimale të lejueshme për shitjen e apartamenteve gjatë 2008-ës për Tiranën e ndarë në zona dhe rrethet. Për pronarët që marrin apartamente në këmbim të tokës së dhënë për pallate, nuk do të ketë tatim direkt. Në këtë rast tatimi paguhet nga ndërtuesit si biznes. Në udhëzimin e Financave përcaktohen edhe çmimet shitjes së pronave. Por për trojet nuk ka çmime reference përveç atyre të miratuara nga qeveria gjatë tre viteve të fundit. Kështu, në rast se një ish-pronar i është kthyer toka me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave dhe ai kërkon ta shesë atë, do të duhet të paguajë 10 për qind të vlerës së shitjes tatim. Kjo pasi ai nuk ka paguar para për blerjen, toka i takonte dhe i është shtetëzuar gjatë diktaturës dhe i gjithë çmimi i shitjes është fitim i pastër. Nga ana tjetër, ai nuk mund të deklarojë çmim të ulët shitje, pasi çmimet e publikuara nga qeveria për kthimin e kompensimit të pronave, janë vendosur në udhëzimin e ri si çmime minimale reference.Për Tiranën1 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për dyqane mallrash, apo shërbimesh është 2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit.2 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për garazh të mbuluar është 70 për qind e çmimit.3 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi zyra është i njëjtë me çmimin e sip. të apartamenteve.4 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për parkim i hapur është 30 për qind e çmimit.5 - Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 "Për privatizimin e banesave shtetërore, i ndryshuar", çmimi për m2 është 70 për qind e çmimit, sipas zonave të tabelës. Për rrethet1 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për dyqane mallrash, apo shërbimesh është 1.5 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqeve të banimit.2 - Çmimi për 1 m2 sip. ndërtimi për qytetet që nuk janë të listuara në këtë shtojcë, kosto e shitjes për m2 të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit.3 - Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore i ndryshuar”, për ndërtesat e ndërtuara dhe të regjistruara deri më 31 dhjetor 2004, çmimi për m2 është kostoja e shitjes për m2 të përcaktuara nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin e fundit.4 - Për komunat, çmimi minimal llogaritet 70 për qind e çmimit të qytetit përkatës. Shembull ApartamentiNjë qytetar ka privatizuar shtëpinë e tij gjatë viteve 1992-1996 me 30 mijë lekë. Shtëpia ka një sipërfaqe prej 100 m2. Shtëpia ndodhet në një pallat në zonë e rrugës “Qemal Stafa” dhe qytetari vendos ta shesë. Sipas udhëzimit të ri, pavarësisht vlerës së privatizimit të shtëpisë, si vlerë blerje, do të përdoret kosto mesatare për m2 e sipërfaqes së shfrytëzueshme, e përcaktuar nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 1996. Në vendimin e vitit 1996, kosto e Tiranës është 16.664 lekë/m2. Pra, vlera e apartamentit, për efekt llogaritje të fitimit do të jetë 1.666.400 lekë. Në udhëzimin e ri është parashikuar që në zonën e rrugës “Qemal Stafa” vlera e shitjes së apartamentit nuk duhet të jetë më pak se 109.800 lekë/m2. (Qytetari mund ta shesë edhe më pak se 109.800 lekë/m2, por tatimi do të paguhet sikur është shitur me këtë çmim). Në këtë rast nga shitja e shtëpisë qytetari do të marrë 10.980.000 lekë. Fitimi i realizuar prej tij është 10.980.000 lekë minus 1.666.400 lekë, ose 9.313.600 lekë. Tatimi që ai duhet të paguajë është 10% e fitimit, ose 931.360 lekë, ose 7572 euro. Shembull Pronari i truallitNjë pronar toke ka dhënë truallin për t’u ndërtuar pallat. Pas ndërtimit të pallatit ai ka përfituar disa apartamente. Pallati ka përfunduar në vitin 2004 dhe ndodhet në zonën e Ministrisë së Jashtme. Sot qytetari vendos ta shesë njërin prej apartamenteve. Shtëpia ka një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë. Qytetari e ka përfituar apartamentin, pra nuk ka shpenzuar para për blerjen e tij. Në udhëzimin e ri është parashikuar që “në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit, në bazë të një kontrate këmbimi, si çmim i blerjes do të konsiderohet një nga çmimet e përcaktuara në udhëzim”. Por qytetari nuk e ka regjistruar në hipotekë me një çmim apartamentin, pasi ai nuk ka paguar për blerjen e tij. Në këtë rast qytetari i përket Tiranës dhe do të marrë si çmim blerje koston fiskale të vitit 2004, që në këtë rast është 27 mijë lekë/m2. Çmimi minimal i shitjes i përcaktuar në vendim për këtë zonë, sot është 97.600 lekë/m2. Fitimi i pronarit do të jetë 70.600 lekë/m2. Për të gjithë apartamentin do të jetë 7.060.000. Tatimi që duhet të paguajë është 10% e fitimit, ose 706.000 lekë, ose 5730 euro.Financat: Ja si do mbahet tatimi në shitjen e pronësQeveria ka vendosur të aplikojë çmime reference për shtëpitë e privatizuara pas vitit 90’. Në një prononcim për gazetën “Panorama” drejtoresha e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, ka shpjeguar në detaje udhëzimin e hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me atë të Drejtësisë. Këtë udhëzim të ministrisë duhet ta zbatojnë të gjithë ata qytetarë që do të shesin shtëpitë e tyre. Sa është çmimi i referencës për shtëpitë e ndërtuara nga viti ‘92 deri në ’96-ën? Parimi është çmimi i shitjes, minus çmimi i blerjes. Për këto apartamente do të merren çmimet shitjes së vitit 2008. Ndërsa tek çmimi i blerjes për ndërtesat e ndërtuara deri në 1995 që janë të ndërtuara apo të privatizuara si çmim blerjeje do të përdoret kostoja mesatare që ka nxjerrë Enti Kombëtar i Banesave. Për apartamentet e privatizuara nga ‘96 deri në 2002-in do të përdoret si çmim blerjeje çmimet e Entit Kombëtar të Banesave. Në momentin që ai e shet do të llogaritet çmimi i shitjes dhe për këtë do të merret si bazë çmimi i shoqatës së ndërtuesve. Këtu ka edhe pika të veçanta, pastaj si në rastin kur ai e shet për dyqan, për garazh, etj. Sepse një metër katrorë i një dyqani nuk mund të shitet njëlloj me atë të shtëpisë. Ndërsa për shtëpitë e ndërtuara pas 2003-it do të merren çmimet e shoqatës së ndërtuesve, sepse janë të gjitha ndërtime të reja. Ky vendim është i rëndësishëm për të gjithë, pasi ka çmime të sakta. Nuk ka barrë të madhe fiskale, udhëzimi e zbut barrën e madhe fiskale sepse nëse çmimet e blerjes do të merreshin zero, atëherë diferenca e krijuar do të ishte goxha e madhe dhe për rrjedhojë edhe tatimi që do të paguhej. Po për pronarët, që marrin apartamente nga dhënia e tokës për ndërtimin, sa është tatimi? Edhe për këta është 10 për qind, kjo në rastin e shitjes së një ndërtese të përfituar nga këmbimi i truallit. Pra, nëse unë tani kam 2 metër katrorë dhe këtë sipërfaqe toke ia jap ndërtuesit dhe ky i fundit në këmbim më jep 10 apartamente. Këta 10 apartamente në rast se shet njërin prej këtyre, atëherë çmimi i blerjes është përcaktuar në shtojcën 2 dhe 3 të udhëzimit.Çmimet e Entit të Banesave sipas vendimit të vitit 1996Berat17,053 lekë/m2Bulqizë 16,761 lekë/m2Dibër 16,353 lekë/m2Durrës 17,483 lekë/m2Elbasan 13,691 lekë/m2Ersekë 16,365 lekë/m2Fier17,484 lekë/m2Gramsh 13,691 lekë/m2Gjirokastër 19,171 lekë/m2Korçë 16,365 lekë/m2Krujë 15,628 lekë/m2Kavajë 17,916 lekë/m2Kuçovë 16,537 lekë/m2Kukës 19,324 lekë/m2Kurbin 18,002 lekë/m2Lezhë 16,638 lekë/m2Librazhd15,637 lekë/m2Lushnje 16,979 lekë/m2Mat 19,920 lekë/m2Përrenjas 16,114 lekë/m2Peqin 14,010 lekë/m2Përmet 19,265 lekë/m2Pogradec 15,498 lekë/m2Puka 20,000 lekë/m2Rrëshen 17,095 lekë/m2Skrapar 19,222 lekë/m2Saranda 16,063 lekë/m2Shkodra 19,172 lekë/m2Tepelena 19,294 lekë/m2Tropoja 19,530 lekë/m2Tirana 16,664 lekë/m2Vlora 17,017 lekë/m2Kosto mesatare16,662 lekë/m2