ISHP: 38% e kripës që shitet në treg nuk përmban jod
• Rreth 38% e kripës që qarkullon në treg dhe konsumohet nga qytetarët, nuk përmban jod.zirina llambroKjo ndonëse në ambalazh shkruhet "Kripë e jodizuar". Kjo ka rezultuar nga analizat që specialistët e Institutit të Shëndetit Publik i kanë bërë kampionëve të ndryshëm të këtij produkti. Ndërkaq në vendin tonë 50% e qytetarëve kanë pamjaftueshmëri të jodit, ç'ka do të thotë më shumë risk për probleme me shëndetin mendor. Sikundër 15% e fëmijëve deri në 13 vjeç paraqesin koeficient të ulët të inteligjencës për rrjedhojë. Rezultati i studimit të realizuar në popullatë u publikuan dje gjatë takimit kombëtar për eliminimin e pamjaftueshmërisë jodike, në prani të përfaqësuesve të strukturave shëndetësore. Për të përmirësuar situatën Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës dhe partnerë ndërkombëtarë ka përgatitur një projektligj për jodizimin universal të kripës. Këtë bëri me dije dje zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. "Një kuadër më i plotë legjislativ për jodizimin universal të kripës do të kontribuojë në arritjen e synimit kombëtar për eliminimin e pamjaftueshmërisë jodike në vitin 2010", tha zv/ministri gjatë konferencës. Për deficencën jodike referuan edhe specialistë të Institutit të Shëndetit Publik dhe mjekë endokrinologë. Ata sqaruan se, krahasuar me një dekadë më parë situata është përmirësuar, por sërish problemet në popullatë janë evidente. Pamjaftueshmëria jodike konsiderohet si një nga shkaqet më të mëdha të vonesës mentale. Jodi është një oligo element i pranishëm në trupin e njeriut, në sasi të vogël prej rreth 15-25 mg në të rriturit dhe vetëm 0.1 mg në të porsalindurit. Ai përbën elementin kryesor në prodhimin e hormoneve të gjëndrës tiroide, të cilat janë përcaktuese në zhvillimin e organizmit në tërësi dhe në veçanti duhet të theksohet roli i tyre për krijimin e receptorëve cerebral të njeriut, të ndjeshëm ndaj hormoneve të tiroides. Kur nuk arrihen të sigurohen nevojat fiziologjike për jod zhvillohen pasojat në riprodhim, shtim të vdekshmërisë foshnjore, zmadhimi i gushës dhe pakësimi i koeficientit intelektual. Një humbje mesatare prej 13.5 pikësh të koeficientit intelektual dhe performancë e dobët shkollore i atribuohen pamjaftueshmërisë jodike.Statistikat 50% e popullatës ka pamjaftueshmëri jodike 38% e kripës në vend e pajodizuar 15% e fëmijëve kanë koeficient të ulët të inteligjencës për shkak të mungesës së jodit 75% e popullatës kanë pasur pamjaftueshmëri jodike në vitet '93 60% e popullatës përdor kripë të jodizuar