E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: S’heqim dorë nga Kosova, as BE-ja

• Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka ripërsëritur se Beogradi nuk do të heqë dorë nga Kosova, por nuk do të frenojë as përpjekjet për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian."Ne nuk do të heqim dorë nga Kosova, do t'i përdorim të gjitha resurset tona diplomatike dhe politike për mbrojtjen e saj, por pa dhunë", ka deklaruar Tadiç për të përditshmen spanjolle "El Pais". I pyetur për mundësinë e ndarjes së Kosovës, Tadiç është përgjigjur: "Nuk flas për ndarje, por për kompromis". Kreu serb ka shtuar se vendet evropiane, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën "nuk janë duke e mbrojtur Serbinë, por po i mbrojnë interesat e tyre dhe integritetin e tyre territorial". Ndërsa Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian vetëm me Kosovën si pjesë përbërëse të saj. "Për ne, gjërat janë të qarta. Kur është fjala për anëtarësim në BE, duhet të sqarojmë se çfarë është territori i Serbisë, të cilin e pranon Bashkimi Evropian. Kjo për ne do të thotë vetëm Serbia me Kosovën si pjesë përbërëse të saj", ka deklaruar Koshtunica për mediat ruse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›