E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondi i Ekselencës, nisin aplikimet për vitin akademik 2008-2009



Jonida Tashi

Ministria e Arsimit shpall hapjen e procedurave të aplikimit për programin e Ekselencës për vitin akademik 2008-2009. Aplikimi do të bëhet sipas shtatë fushave të përcaktuara, që përkatësisht janë: Shkencat Sociale dhe Albanologjike; Sistemet dhe Teknologjitë e Informacionit; Biodiversiteti dhe Mjedisi; Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjitë; Shëndeti; Uji dhe Energjia; Materialet. Aplikimet do të jenë individuale dhe klasifikimi i kandidatëve do jetë transparent dhe publik.
Afati
Afati i dorëzimit të dokumenteve për aplikim është deri në datën 30 shtator 2008. Studentët dhe shkencëtarët e rinj që janë me rezultate të shkëlqyera mund të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për: bursa të posaçme, për studentë që kryejnë studimet e doktoratës jashtë vendit; bursa të posaçme për shkencëtarë të rinj, për studimet e postdoktoratës, jashtë vendit; çmime për studentë, fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare; botime shkencore me nivel të lartë shkencor. Qeveria shqiptare po kontribuon me një fond të posaçëm për studime të plota doktorate apo postdoktorate të dhjetëra shkencëtarëve të rinj në universitete perëndimore prestigjioze. Këta studiues, që do të formohen me dijet e kohës dhe detyrimisht do të japin kontributin e tyre për 5 vjet në Shqipëri, do të jenë një mbështetje e rëndësishme e Arsimit tonë të Lartë dhe e Kërkimit Shkencor. Ata do të ndihmojnë jo vetëm në rritjen cilësore të formimit dhe kërkimit në universitetet tona, por edhe në rritjen e nivelit të bashkëpunimit me universitetet perëndimore, ku këta studiues do të kryejnë kualifikimin e tyre.
Përzgjedhja
Përzgjedhja e kandidatëve kryhet para fillimit të çdo viti akademik nga komisione përzgjedhëse të ngritura me urdhër të ministrit të Arsimit. Këto komisione kanë në përbërje profesorë të universiteteve, në varësi të fushës, si dhe një përfaqësues nga Ministria e Arsimit. Kur fondi i veçantë plotësohet edhe nga donacione, në komision merr pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit. Lista përfundimtare e kandidatëve të përzgjedhur dhe masa e bursës për secilin prej tyre miratohen nga ministri i Arsimit, pasi kandidati të ketë nënshkruar deklaratën, e miratuar nga ministri, për punësim në Shqipëri. Lista botohet në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit.
Përjashtimi
Studentët, të cilët ndërpresin studimet për më shumë se një vit (akademik), përveç rasteve kur paraqesin raport mjekësor, humbin të drejtën e përfitimit të mëtejshëm të bursës së studimit. Studentët, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 9 (të ekuivalentuar, sipas vlerësimit të shtetit përkatës, ku studiojnë) apo marrin ndonjë notë më të ulët se nota 8, nuk përfitojnë bursë në vitin pasardhës. Studentët dhe shkencëtarët e rinj, që kanë përfituar bursë sipas këtij vendimi kur, pas përfundimit të studimeve refuzojnë të punojnë në Shqipëri, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur, detyrohen të kthejnë shumën e marrë në formë burse. Mbi bazën e numrit të bursave që disponohen si dhe të listës së përzgjedhjes së ngushtë, të përpiluar nga komisioni përzgjedhës, ministri i Arsimit shpall me urdhër listën e kandidatëve fitues. Kjo listë, së bashku me të dhënat më të rëndësishme të dosjeve të kandidatëve bëhen publike.

Aplikimet sipas fushave
Shkencat Sociale dhe Albanologjike
Sistemet dhe Teknologjitë e Informacionit
Biodiversiteti dhe Mjedisi
Bujqësia, Ushqimi dhe Bioteknologjitë
Shëndeti
Uji dhe Energjia
Materialet

Kontakti
Për aplikimiet personi i kontaktit është:
Anila Theodhori
Përgjegjës Sektori i Kurrikulave dhe Politikave Universitare
Drejtoria e Politikave të Arsimit të Lartë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Përfitimet
studentët dhe shkencëtarët e rinj, të shkëlqyer mund të përfitojnë nga Fondi i Ekselencës të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për:
Bursa të posaçme, për studentë, që kryejnë studimet e doktoratës jashtë vendit;
bursa të posaçme, për shkencëtarë të rinj, për studimet e postdoktoratës, jashtë vendit;
çmime për studentë, fitues në konkurse dhe olimpiada ndërkombëtare;
botime shkencore me nivel të lartë shkencor.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›