E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, plani i shpëtimit hidhet në votë

Dy ditë më parë, një pjesë
e mirë e administratës
së Bushit ishte plot besim
se plani i shpëtimit, i rekomanduar
për votë të Kongresit,
nga ana e Shtëpisë së Bardhë do
të miratohej me fillimin e javës
së re financiare. Më në fund, pas
shumë diskutimesh dhe
kundërshtish, disa burime bëjnë
të ditur se Dhoma e Ulët e Kongresit
Amerikan nisi dje votimin.
Në fillim të ditës, Presidenti
amerikan, përmes një mesazhi
nga Shtëpia e Bardhë, i ftoi edhe
njëherë ligjvënësit që të kalonin
ligjin, që, sipas tij, dhe specialistëve
të administratës do t‘i
japë fund krizës financiare dhe
do të jetë një sinjal pozitiv për
tregjet financiare amerikane dhe
ato botërore. Gjatë fjalës së tij,
Bush tha se plani ishte shumë i
fuqishëm dhe ai vetë ishte i bindur
për rezultatin pozitiv të operacionit.
Megjithatë, sipas tij, ai
nuk do t‘i zgjidhte si me magji
gjithë problemet ekonomike
dhe se disa lloj vështirësish do të
vazhdonin të ishin prezente. E
ndërsa Bush nga tribuna e tij
është plot besim se paketa 700
miliardë dollarëshe është
shpëtimi i tregut financiar, ka
shumë analistë që mendojnë se
plani do të dështojë dhe se
bankat në vështirësi brenda
Krishtlindjeve do t‘i drejtohen
Shtëpisë së Bardhë për më
shumë para. Sipas këtyre analistëve
dhe ekspertëve bankarë,
shkaku i dështimit është se plani
nuk u adresohet problemeve reale
të tregut më të madh të kapitalit
në botë. Sipas ekspertëve,
plani nuk i ndihmon bankierët
që të mbledhin kapital, që është
edhe lënda e parë e bankës. Sipas
tyre, marrëveshja i kristalizon
humbjet dhe se bankat do të
duhet të përballen vazhdimisht
me çështjen e shitjes së aseteve
me çmime shumë të ulëta. Duke
qenë se bankat nuk do të mund
të mbledhin dot para të reja, ato
shumë shpejt do të kenë nevojë
për një sasi tjetër ndihme, që do
të thotë se si sekretari i Thesarit,
ashtu edhe shefi i FED-it po gënjejnë
veten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›