E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet Panairi i Punës në Fier, biznesi prezanton 448 vende të lira pune



Biznesi fierak ka prezantuar 448 vende të lira pune për punëkërkuesit e papunë në qarkun e Fierit. Kjo ofertë punësimi për të papunët është bërë në Panairin e parë të Punës organizuar nga Zyra Rajonale e Punësimit Fier. Ofertat e ofruara nga biznesi në Panairin e parë të Punës në Fier varionin nga inxhinierë, ekonomistë, profesionistë të lartë e të mesëm e deri në punëtorë të pakualifikuar. Në çeljen e Panairit të Punës në Fier merrnin pjesë zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka, përfaqësues të pushtetit vendor, të biznesit, të parlamentit rinor fierak, punëkërkues, etj. Drejtori i Zyrës Rajonale, Fier, Kristaq Lena, në fjalën e mbajtur në këtë panair, falënderoi të gjithë punëdhënësit fierakë për gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar me zyrën e punës jo vetëm në organizimin e Panairit, por në vazhdimësi. Ndërsa numri dy i ministrisë së punës, Sulka u ndal në iniciativën e ndërmarrë nga Ministria e Punës për organizimin e Panaireve të përvitshme të Punës, në të gjitha zyrat rajonale të vendit, si aktivitete që sjellin më afër ofertat dhe kërkesat në tregun e punës, duke bërë kështu më të dukshëm dhe më efektiv edhe vetë rolin e zyrave të punës. Sipas prefektit të Fierit, Shahini, qarku i Fierit ka dendësinë më të madhe të popullsisë në vend, por jo rastësisht edhe nivel të ulët papunësie, krahasuar me nivelin mesatar në shkallë vendi. Prioriteti, sipas Shahinit, mbetet nxitja e zhvillimit të biznesit, pasi sektori privat mbetet prioritar dhe ndikon drejtpërdrejt dhe ndjeshëm jo vetë në zhvillimin ekonomik të rajonit por edhe në uljen e varfërisë dhe në zhvillimin e tregut të punës, rrjedhimisht edhe në uljen e nivelit të papunësisë.

29 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›