E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi i Visegradit ofron bursa për studime universitare e mastera

Fondi ndërkombëtar i Visegradit ofron bursa për studime universitare, ose pasuniversitare për vitin akademik 2009-2010. Nga fondi prej 1 milion e 884 mijë euro mund të përfitojnë edhe studentë apo studiues shqiptarë, në rast se aplikojnë online brenda datës 31 janar 2009.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sektori i marrëdhënieve me jashtë ka bërë të ditur se "fondi ndërkombëtar i Visegradit, themeluar nga qeveritë e 4 vendeve pjesëmarrëse në grupin Visegrad (Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Poloni), në kuadër të programit të bursave Visegrad, ofron bursa për studime universitare ose pasuniversitare për vitin akademik 2009-2010".

Për informacione më të hollësishme lidhur me llojin e bursave që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit, si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikantët, të interesuarit duhet t‘i referohen adresës së mëposhtme të internetit: http://scholarships.visegradfund.org

E rëndësishme është që për studentët të cilët do të aplikojnë, duhet të vërtetojnë se kanë kryer katër semestra universitarë.

Dokumentet e nevojshme për aplikimin janë: Një kopje e përkthyer dhe e certifikuar e diplomës (për studime master, ose më të avancuara); një letër pranimi nga universiteti ose institucioni që ju pret për kryerjen e këtyre studimeve; një plan pune për periudhën e studimeve. Aplikimi në programin e bursave të Visegradit bëhet vetëm përmes sistemit online. Pasi të kryhet regjistrimi, të interesuarit duhet të mos harrojnë numrin e aplikimit dhe fjalëkalimin që do t‘u mundësojë atyre të hyjnë në aplikimin e kryer. Pas plotësimit të formularit të aplikimit ai duhet printuar dhe firmosur. Atij i bashkëngjiten edhe dokumentet e tjera origjinale, pasi nuk pranohen kopje dhe dërgohet me postë brenda datës së fundit të pranimit, që është 31 janari 2009. Pas kësaj date asnjë dokument aplikimi nuk do të pranohet.

Kohëzgjatja e periudhës së studimeve që do të mbështetet financiarisht nga ky fond është 10 muaj (2 semestra), ose 5 muaj (një semestër). Maksimumi i kohëzgjatjes së mbështetjes së studimeve për aplikantët brenda skemës së "In-Coming Scholarships" që aplikojnë për mastera është 20 muaj (4 semestra. Niveli i mbështetjes së studimeve do të jetë për: mastera dhe post mastera (programe doktorature ose të tjera programe për të diplomuarit).

Sekretariati i fondit pas vlerësimit të dokumentacionit dhe përzgjedhjes së kandidatëve do të informojë të gjithë aplikuesit për pranimin ose jo të kërkesave të tyre. Brenda 15 majit do të aprovohet edhe lista e fituesve. Ndërkohë që një kontratë mes fondit dhe studentit të përzgjedhur duhet të nënshkruhet brenda 15 shtatorit. Një tjetër kontratë do të nënshkruhet edhe mes fondit e universitetit pritës të aplikantit fitues.

Pagesat nga fondi për studimet do të kryhen në përputhje me kontratën në fillim të çdo semestri.

Por një ndër pikat kyçe të kontratës është fakti që nëse studenti fitues nuk arrin për faj të tij, që të përmbushë detyrimet ndaj universitetit, pra do të jetë jo kalues, atëherë ai do të detyrohet që t‘i kthejë fondit të gjitha paratë e dhëna për këto studime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›