E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurs mes studentëve më të mirë të Ballkanit në Vjenë

Studentët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të vlerësohen në shkallë ballkanike për dijet e tyre në fushat e njohurive për Këshillin Evropian, ligjet, gjyqësinë, konkurrencën në fushën e biznesit, informacionin dhe teknologjinë e komunikimit, mund të aplikojnë në konkursin e madh që mundësohet nga organizata "Balcan Case Challenge", i cili do të zhvillohet së shpejti në Vjenë (Austri). Bëhet e ditur se aplikantët për këtë konkurs duhet të jenë studentë, kryesisht nga degët e Ekonomikut, Drejtësisë dhe Shkencave Politike, të cilët kanë arritur rezultate të larta gjatë studimeve. Por një kriter i detyrueshëm për aplikantët është edhe njohja mjaft e mirë e gjuhës angleze, pasi konkursi zhvillohet në këtë gjuhë. Studentët mund të aplikojnë në këto program deri më datë 15 shkurt të këtij viti në faqen e internetit të kësaj organizate, bënë të ditur burimet e MASH-it. Pjesëmarrja në konkurs ndihmon në verifikimin e njohurive dhe në krijimin e mundësive për vende të reja pune.
Kjo është një organizatë austriake, e cila fton çdo vit studentë nga vendet e Evropës Juglindore, një nga të cilat është edhe Shqipëria për të vlerësuar studentët, kryesisht në fushat ekonomike e juridike. Po kështu, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, nëpërmjet ambasadës britanike në Tiranë, ofron bursa për studime pasuniversitare të nivelit master në universitetet publike të Mbretërisë së Bashkuar, për vitin akademik 2009-2010, bëri të ditur zyra e marrëdhënieve me jashtë, pranë Ministrisë së Arsimit. Programet e studimit për master të ofruara nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar janë në fushat: ekonomik, financë, kontabilitet, administrim-biznes, komunikacion, studime në fushën e mbrojtjes, gazetari, studime për integrimin evropian, drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike dhe administratë publike. Sipas burimeve nga MASH-i, për një informacion të hollësishëm lidhur me llojin e bursave që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit, si dhe të përgatitjes së dokumentacionit, aplikantët duhet t‘u drejtohen zyrave pranë këshillit britanik në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›