E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi i kompensimit 40 milionë rrezikon djegien

Autori i Lajmit: Red.Rrezikohet të shkojë dëm dhe për këtë vit, fondi prej 40 milionë lekësh, i përcaktuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Procedurat për lëvrimin e këtij fondi dhe shpërndarjen e parave tek ish-të përndjekurit do të nisin vetëm pasi nisma e qeverisë të votohet në Kuvend, dekretohet nga Presidenti dhe botohet në Fletoren Zyrtare, procedurë e cila kërkon minimalisht një muaj kohë. Me një përllogaritje të thjeshtë, ministrive do t u mbeten vetëm dy muaj kohë për të ndarë fondet tek ish-të përndjekurit, një kohë kjo shumë e shkurtër dhe e pamjaftueshme për të realizuar një proces të tillë. Deri më sot, ish-të përndjekurit nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga shteti për vuajtjet dhe krimet e sistemit komunist. Ndonëse prej vitesh në buxhetin e shtetit janë përfshirë fonde për këtë kategori, që në fund të vitit kanë shkuar dëm. E njëjta gjë ndodhi vitin e kaluar. Qeveria e djathtë, e sapoardhur ne pushtet, kishte përcaktuar një fond prej 4 milionë lekësh për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, por nuk mundi ta shpërndajë atë brenda vitit. Shuma u dogj dhe asnjë person nuk arriti të marrë një dëmshpërblim për vuajtjet e tij.

Ky lajm është publikuar: 28/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›