Skema e dëmshpërblimit, qeveria do të rishohë projektligjin
Autori i Lajmit: Majlinda PASHOLLARIQeveria pritet të rrisë skemën e përfituesve të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Në këtë kategori pritet të përfshihen edhe personat që janë pushkatuar pa gjyq gjatë regjimit komunist. Burime zyrtare konfirmojnë se për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm pune, i cili po merret me verifikimin e të gjithë përsonave që kanë aktualisht statusin e të përndjekurve politikë. Pas verifikimit që ka kryer Ministria e Drejtësisë po studiohet mundësia se cilat kategori do të përfitojnë dëmshpërblim. Edhe ish-të përndjekurit politikë mendojnë se nuk duhet të ketë ndarje mes shtresës së tyre e statusi duhet të jetë i pacenueshëm. Diskutimi më i fundit rreth statusit dhe dëmshpërblimit të të përndjekurve nuk ka përfshirë të pushkatuarit pa vendim gjyqi para dhe pas vitit 44, duke mohuar krimet që kapin periudhen e Mehmet Shehut. 6 mijë qytetarëve të vrarë pa gjyq nga shteti, u njihet statusi, por jo e drejta për t u dëmshpërblyer. Të përndjekurit pas 17 vitesh ndihen sërish të tillë e i shohin këto veprime më tepër si motivim politik sesa një detyrim ligjor që ka çdo qeveri për këtë shtresë. ”Qeveria njeh statusin dhe nuk e zbaton. Projektligji bie ndesh me statusin dhe duket se ai nuk është zbatuar për të gjithë njëlloj. Nëse rishkrimi i historisë është një proces që nuk e bën një forcë politike, të paktën një parti në pushtet që mendon se historia duhet të rishkruhet, duhet të marrë një aksion për të dëmshpërblyer viktimat e gjalla të sistemit komunist”, - tha Ndregjoni.
Propozimi
Një tjetër projektamendament është paraqitur nga Grupi Parlamentar Republikan. Këta kanë kërkuar përcaktimin e periudhave kohore, në të cilat ky ligj do të shtrijë veprimin e tij, si dhe në përcaktimin e viteve të dëmshpërblimit në rastin e të pushkatuarve dhe të ekzekutuarve. Gjithashtu, ndryshimet e propozuara nga PR-ja do të kërkojnë paraqitjen e referencave për të përcaktuar objektivisht vlerën e një dite pune në burg dhe të faktit që dëmshpërblimi të bëhet i kategorizuar sipas moshës dhe gjendjes shëndetësore aktuale të ish-të përndjekurve, duke dhënë një shumë të caktuar në formë të menjëhershme dhe të shpërblimit në formën e një pensioni suplementar. Ndërsa shoqatat e ish-të përndjekurve pritet të shtojnë dhe kërkesën për dëmshpërblim dhe të personave që kanë vuajtur internimin në qytete të tjera dhe në punë të vështira. Megjithatë, diskutimet gjatë javës së ardhshme në komisionet parlamentare pritet të sjellin ndryshime të konsiderueshme në këtë ligj.
Ky lajm është publikuar: 28/09/2007