E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji: Dikutohën procedurat e përfitimit

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Parlamentar i Ligjeve bëri një hap para, duke e votuar në parim projektligjin për dëmshpërblimin e kësaj kategorie. Me shumicë votash, anëtarët vendosën të pranojnë nismën e qeverisë dhe më vonë të diskutojnë mbi procedurat për ata që do të përfitojnë. Të vetmit që abstenuan ndaj nismës së maxhorancës ishin deputetët e majtë, Bashkim Fino e Arben Isaraj. "Eshtë ndër nismat e para që vjen si një projekt i plotë pas tetë viteve të mëparshëm për dëmshpërblimin e të përndjekurve. Në të parashikohen hapa konkretë për përmirësimin e statusit të kësaj shtrese", vlerësoi kryetari i Komisionit, Fatos Beja. Por, nga miratimi në Kuvend e deri në marrjen e parave nga ish-të përndjekurit, do ende kohë. Ndonëse miratimi i djeshëm në komision i hap rrugë procesit, ai ka një sërë etapash të gjata kohore për t u respektuar. Pas komisioneve, drafti do të votohet në seancë plenare, dekretohet te Presidenti i Republikës dhe botohet në Fletore Zyrtare. Vetëm pas përfundimit të këtyre etapave, që minimalisht kërkojnë një muaj kohë, do të mund të mendohet për dëmshpërblimin real të kësaj shtrese të shoqërisë. Projektligji i qeverisë parashikon që çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtje në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi nga data 30.11.1944 - 1.10.1991, të dëmshpërblehet me 2000 lekë në ditë. Po kështu dhe familjarët e viktimës. Ndërsa për të dënuarit me internim në kamp me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit financiar do të jetë 1000 lekë në ditë. Për të pasur mundësinë e dëmshpërblimit, kjo kategori personash duhet që brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit të bëjnë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë për dëmshpërblim.

Projekti

Sipas projektligjit të qeverisë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, ka vendosur një dëmshpërblim prej 2000 lekë për çdo ditë vuajtje në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi nga data 30.11.1944 - 1.10.1991. Ndërsa për të dënuarit me internim në kamp me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit financiar do të jetë 1000 lekë në ditë. Ndërkohë që është hequr nga projekti neni 6, i cili penalizonte të gjithë ish-funksionarët e lartë që janë pushkatuar ose dënuar me burg.

Pretendimet

Ndryshe nga projekti i mazhorancës së djathtë, ish-të përndjekurit kërkojnë një rritje të masës së dëmshpërblimit të tyre të paktën deri në 3000 lekë dita. Po kështu, ata
kërkojnë që t u njihet dëmi dhe të dëmshpërblehen dhe të gjithë ata ish-të përndjekur që janë dënuar nga data 1.08.1943 e në vazhdim, si dhe që dëmshpërblimi për familjarët e viktimave të pushkatuara apo ekzekutuara me dënime të padrejta të trashëgohet jo vetëm te bashkëshorti/ja, fëmijët apo motrat dhe vëllezërit, por dhe te nipërit e mbesat.
Ky lajm është publikuar: 28/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›