Kapen në kufi 4,6 kg heroinë
KAKAVIJË/ Kristaq Mushës nga fshati Portëz i rrethit të Fierit i janë gjetur në automjetin e vet 9 pako
Mbi pakot e drogës gjendej emërtimi "Nazifi" çka ka bërë që të dyshohet se është pseudonimi i pritësit
GJIROKASTËR- Një sasi prej 4,650 kg heroinë është sekuestruar nga ana e policisë së Gjirokastrës, ndërsa në pranga ka përfunduar 42-vjeçari Kristaq Musha.
Shtetasi me banim në Portëz të Fierit akuzohet për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Droga e sekuestruar është gjetur në automjetin e tij tip "Volksvagen Passat".
Mësohet se 42-vjeçari ishte me dokumente të rregullta qëndrimi greke, megjithatë nuk udhëtonte shpesh drejt vendit fqinj.
Bëhet e ditur se lëvizja e tij e fundit kishte qenë rreth gjashtë muaj më parë. I pyetur se ku e kishte burimin pasuria e tij (përkatësisht automjeti që ai zotëronte ishte prodhim i 2006-s), Musha është përgjigjur se gjithçka e kishte siguruar falë krerëve të bagëtive që zotëronte në fshatin e vet, çka i ka vënë në dyshim agjentët.
Zbulimi
"Nazifi" është pseudonimi i personit që do të merrte në dorëzim lëndën narkotike, ndërsa transportuesi i saj është vënë në pranga. Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, sekuestrimi i lëndës narkotike është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendkalimin e Kakavijës.
Një sërë informacionesh të marra flisnin për trafikimin e mundshëm të një sasie lëndësh narkotike drejt Greqisë dhe periudha e fluksit të emigrantëve është vlerësuar si periudha më e mirë.
Lënda narkotike e llojit heroinë ka qenë duke u transportuar në automjetin tip "Volksvagen Passat" me targa greke ATE 75 07, që drejtohej nga shtetasi Kristaq Musha, 42 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Portëz të rrethit Fier.
Droga është gjetur e fshehur poshtë kofanos së automjetit, në pjesën plastike poshtë fshirëseve të xhamave të makinës, që ishte nisur nga Fieri dhe kishte si destinacion kryeqytetin grek, Athinë. Heroina ka qenë e ndarë në nëntë pako në formë paralelopipedi, të mbështjella me letër natriban ngjyrë kafe.
Një mbishkrim "Nazif" në të gjitha pakot ka formuar idenë e pseudonimit të pritësit të dërgesës me drogë. Gjithsej në total, sipas policisë, sasia e drogës ishte 4 kilogramë e 650 gramë.
Akuza
42-vjeçari Musha, i cili zotëronte edhe dokumente të rregullta qëndrimi në shtetin grek, është arrestuar në flagrancë për veprën penale "trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike".
Ndërkaq, do të jetë Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që do të zbardhë këtë rast trafikimi të lëndëve narkotike drejt Greqisë, si dhe personat e tjerë të përfshirë në të. Burime bëjnë të ditur se Musha nuk ka pranuar të flasë pas zbulimit të drogës.
Ky është rasti i dytë i kapjes së heroinës në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës për këtë vit. Dhjetëra raste trafiku të lëndëve narkotike janë bllokuar nga uniformat blu në qarkun e Gjirokastrës, një ndër më problematikët në vend veçanërisht përsa i përket kultivimit të bimëve.