E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondi, përfundon afati, 750 pronarë në listë

Përfundon afati i aplikimit të dosjeve. Rrezikohet djegia e fondit, pasi duhen dy muaj për verifikimin e dosjeve

TIRANË- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka mbyllur për këtë vit fazën e aplikimeve nga ish-pronarët, për të përfituar nga fondi financiar prej 5 mln dollarësh. Afati 3 dhjetor ka kaluar, dhe pranë zyrave të AKKP-së mësohet se janë depozituar rreth 750 kërkesa nga ish-pronarët. Përfundimi i këtij procesi në fillim të këtij muaji, rrezikon njëkohësisht edhe djegien e fondit të vendosur për kompensimin financiar, pasi agjencisë, tanimë do t’i duhen minimalisht dy muaj për të bërë verifikimin e dosjeve të depozituara. Zyrtarët e lartë të AKKP-së nuk kanë bërë asnjë koment dje rreth kësaj çështjeje, përveçse kanë siguruar se procesi do të ecë me ritme të shpejta, më qëllim që ky fund viti, të përfshijë pronarët e parë që do të kompensohen nga fondi i parashikuar. Nga financimi i këtij viti do të përfitojnë të gjithë ata pronarë, të cilët jo vetëm nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, por nuk kanë marrë tokë nga zbatimi i ligjit nr. 7501, datë 19/07/1991 “Për Tokën”. Në listën e përfituesve, duhet tëpërfshihen edhe ata, të cilët nuk janë në proces gjyqësor, apo proces shqyrtimi të një ankimimi administrativ, në lidhje me pronën objekt kompensimi. Ish-pronarët do të kenë mundësi që të ankimojnë vendimin e AKKP-së për këtë proces vetëm në gjykatë. Ndryshe nga të gjithë vitet e tjera, kësaj here përparësi do të ketë subjekti që do të jetë në krye të listës, sipas vendimit të parë të marrë. Në 2005-n, fondi i kompensimit financiar iu shpërnda vetëm pronarëve që i përkisnin Tiranës dhe rrethit të Kavajës. Në vitin 2007, fondi u shtri edhe në qytetet e tjera si, Tropoja, Korça apo edhe Vlora. Ndërsa këtë vit, sipas zyrtarëve të AKKP-së, do të ketë përparësi vetëm subjekti, dhe shpërndarja është parashikuar që të shtrihet në të gjithë territorin. Për vitin e ardhshëm shuma e caktuar për ish-pronarët do të jetë 700 milionë, ndërsa kësaj shume pretendohet se do t’i shtohen dhe të ardhurat prej legalizimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›