Regjisorja që pret dhe ngjit copëza jete
Tiranë-Një çantë e vogël me kuadrate (nga ato të lirat e tregut), të tërheq vëmendjen ndër dhjetëra çanta më të bukura e më të shtrenjta në atë kaos lëvizjeje në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. Brenda saj dy bobina filmi (pelikulë), që për një moment të bëjnë të mendosh se je 30 vjet mbrapa. Çantën e mban në dorë regjisorja amerikane Naomi Uman, e ftuar si anëtare e jurisë ndërkombëtare. Në atë pelikulë të vjetër Naomi ka “Makinën ukrainase të kohës”. Një prodhim eksperimental që paraqet jetën e fshatit ukrainas Uman. Disa vite më parë, një film i saj që fliste për jetën e emigrantëve në Amerikë ishte kritikuar me argumentin se ajo nuk mund të bënte film pa e ditur se si ishte jeta e një emigranti. Kështu që Naomi vendosi që të shndërrohej vetë në emigrante, në vendin e të parëve të saj në fshatin Uman, më saktë një pakicë hebreje në Ukrainë. Mbiemri i saj këtu e ka zanafillën prandaj dhe e zgjodhi si subjekt të filmit.
Artistja amerikane niset në kërkim të lidhjeve të gjakut që mund të kishin mbijetuar. Personazhi kryesor është ajo vetë. Një grua hebreje që sheh me sytë e saj fshatin e gjyshërve. Kërkimi abstrakt i rrënjëve nuk e çon kurrkund Naomin pasi nuk arrin të gjejë asnjë të afërm, të gjithë janë larguar ose kanë vdekur. E vetmja gjë që merr është ndjesia e të qenurit në shtëpi. Koha në këtë qytet ka ndalur 200 vjet të shkuara kur vdiq rabati. Veshjet dhe mënyra e jetesës kanë ngelur po ato. Gra që punojnë nga mëngjesi në darkë dhe që përpiqen të mbajnë familjen të bashkuar. Ato merren më shumë me punë artizanale, me bërjen e turshive, vodkë, qëndistari etj.
Është e njëjta “metodë pune” që përdor Naomi për realizimin e “The ukrainian time maschine”. Pra, një “handmaking movie”. Kamera 60-vjeçare që ajo përdor nuk ka butona por një mekanizëm që duhet lëvizur vazhdimisht me dorë që të xhirojë. Është jo e zakonshme të imagjinosh një artiste moderne, një grua kokërruar si Naomi me një “mekanizëm” në dorë sikur të xhironte në epokën e “silent cinema”. Këtë “gjënë” ajo tregon se e ka blerë 10 vjet më parë në një dyqan të dorës së dytë dhe që nga ajo kohë çdo film e ka xhiruar me të.
Montazhi i filmit, edhe ai është bërë në mënyrë “manuale”. Naomi ka kaluar në duar një nga një çdo “frame” të filmit, duke prerë dhe ngjitur copëzat e negativit, prapë sipas mënyrës së vjetër. Gjatë montazhit nuk i ka rregulluar pjesët sipas një rendi të caktuar që do të tregonte një histori lineare por ka preferuar të luajë me kohën. Pamjet i ka ruajtur po sipas atij rendi kur ka xhiruar për të formuar mozaikun “The Ukrainian time maschine”. Jo vetëm filmat por i gjithë arti i saj është përqendruar te puna që bëhet me duar. “Kur nuk kam lekë për të bërë filma merrem me punë artistike, pikturoj, fotografoj”, thotë Naomi. Për realizimin e filmit ajo la qytetin e Meksikos ku jetonte dhe jepet mësime për realizimin me dorë të filmave në Muzeun e Arteve në Meksiko dhe u vendos në Ukrainë.
Ndonëse fizikisht është hera e parë që Naomi Uman vjen në Tiranë publiku shqiptar është prezantuar dy vjet më parë me veprën e saj. Filmi është i ndarë në gjashtë “minifilma”, tre nga të cilët janë bardhe e zi. Një pjesë e tyre janë shfaqur në edicionin e katërt dhe të pestë të TIFF. Këtë herë nga ky dokumentar, u projektuan të mërkurën në mbrëmje pjesët “Pa emër” dhe “Në ditë”. Yllka Lezo