E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja: Për kodin do të konsultohemi me PS-në

PD-ja shfaq pakënaqësinë ndaj mos dekretimit të Kodit nga ana e Topit

TIRANË- Pas Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka qenë deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, që e ka cilësuar të nxituar vendimin e Presidentit Topi për mos dekretim të Kodit Zgjedhor. Duke folur në emër të Grupit Parlamentar, Bumçi ka hedhur poshtë arsyet që dha Presidenti Topi për mos dekretimin e Kodit. “Kodi aktual nuk e pengonte Presidentin të caktonte datën e zgjedhjeve, pasi edhe nëse shkeleshin afatet kushtetuese, ato ishin vetëm pak ditë dhe nuk kishin pasoja juridike”,- tha Bumçi. Edhe pse pranon se ka një shkelje afatesh, Bumçi theksoi se vendimi i Topit nuk mund të kishte pasoja juridike, duke kërkuar në një farë mënyrë që, Presidenti Topi, të pranonte këto shkelje të Kushtetutës. Ndërsa, lidhur me atë që do të ndodhë në Parlament pas mos dekretimit të Kodit Zgjedhor, Bumçi u shpreh se aksioni parlamentar që do të ndërmerret nga PD-ja, do të jetë në konsultim me PS-në. Qëllimi, sipas tij, është që sërish votimi të jetë konsensual dhe i pranuar, ashtu si edhe votimi i parë që ndodhi për Kodin Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›