E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fondi special i kompensimit jo bashkim me të legalizimeve”

 Shoqata "Pronësi me Drejtësi" doli dje kundër projektligjit të Qeverisë për krijimin e fondit special të kompensimit. Dy  drejtuesit e kësaj shoqate Myrshit Vorpsi dhe Agim Toro kanë deklaruar dje se "qeveria i anashkaloi grupet e interesit për tu konsultuar për një draft të tillë". "Gjithashtu edhe Kuvendi, përkatësisht komisioni parlamentar i Ligjeve ka refuzuar praninë tonë gjatë diskutimit të këtij projektligji. Na vjen keq që na u mbyllën dyert nga ana e Parlamentit shqiptar", theksoi Toro. Ndërsa Vorpsi thekson se "fondi që qeveria përdor për shpronësimet e ish-pronarëve nuk duhet të përfshihet së bashku me kompensimin financiar".  "I kërkojmë qeverisë që të heqë dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit për shpërblimin e ish-pronarëve për efekt legalizimi. Pagesa e shpronësimit të pronarëve për efekt legalizimi të bëhet nga ALUIZNI", tha Vorpsi. Sipas tij, të gjitha këto ndryshime pasi shteti nuk ka interes për të dëmshpërblyer këtë shtresë. "Qeveria në këtë projekt ka paraqitur aktin normativ, i cili synon me një gur të vrasë të gjithë zogjtë. Pra bashkon në mënyrë të pakuptimshme fondin e kompensimit të pronarëve dhe atë të shpronësimit për efekt të legalizimit. Nuk ka arsye që të realizojë një gjë të tillë, po të kemi parasysh dhe atë të 145 milionë eurove për periudhën deri më 2013-ën për kompensimin e pronarëve, shihet se sa qesharake është ai fond. Po të kihet parasysh dhe lëvizjet e tjera, që  ata që kanë pushtuar tokat të paguhet me çmime minimale me një euro metër katrorë, kjo do të thotë se vetëm përgjegjshmëri minimale ekonomike nuk ka qeveria", tha Vorpsi. Ndërsa Toro shtoi se "e gjithë kjo bëhet thjesht për fushata elektorale, qeveria po bën ligje vetëm për të favorizuar banorët në procesin e legalizimit. Kjo duket se po afrojnë zgjedhjet lokale".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›