E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, vijnë të dërguarit e Strasburgut

 BLEDAR HOTIPërfaqësuesit e gjyk-atës evropiane të Strasburgut vijnë në Tiranë për të diskutuar në lidhje me zbatimet e vendimeve të tyre nga ana e qeverisë shqiptare për çështjen e pronave. Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro deklaroi për "Panorama" se do të ketë sot një takim të posaçëm me delegacionin e Gjykatës së Strasburgut, institucion që ka dhënë disa vendime për ish-pronarët shqiptarë për çështjet e pronave. Toro thekson se nisur nga vendimet më të fundit të qeverisë për procesin e pronave kemi shprehur shqetësimet tona dhe në kancelaritë evropiane, në ambasadat e vendeve të BE-së. "Kemi takim prapë me të huajt në mënyrë që të bëjmë prezent këtë situatë në kancelaritë e Evropës në Shqipëri. Sot, nesër dhe pasnesër zhvillohet një seminar me gjykatën Evropiane të të Drejtave të Strasburgut pikërisht për këto shkelje. Dhe ne jemi në takim me ta për këto shkelje në mënyrë që të bëjmë prezent këtë situatë", theksoi Toro. Ish-pronarët të gjendur përballë mos zgjidhjes së çështjes së pronave të tyre nga ana e shtetit shqiptar. Sipas nënkryetarit të shoqatës, Myrshit Vorpsi nga ana e kësaj shtresë janë 211 çështje që janë pranuar nga Gjykata e Strasburgut dhe pritet të merret vendimi. Deri më tani mësohet se janë 5 vendime pro të dhëna nga Strasburgu në favor të ish-pronarëve, duke i kërkuar shtetit shqiptar t'i kompensojmë mbi bazën e çmimit të tregut. Të tilla janë vendimet për familjet e pronarëve si Beshiri, çufaj, Gjon Boçari etj. Duke dalë kundër projektligjit për krijimin e fondit special të pronave, drejtuesit e shoqatës "Pronësi me Drejtësi" i bënë apel subjekteve të shpronësuara që të mos ngurrojnë t'i drejtohen Strasburgut. "Pronarë që prisni të merrni të drejtën për dëmshpërblimin tuaj, mos prisni më gjatë, por drejtohuni gjykatës, duke kërkuar jo vetëm të drejtën e pagesës tuaj, por edhe interesin. Mos u kënaqni me 1/10 e hakut tuaj që mund t'ju ofrohet sot. Kërkoni pagesa me çmime tregu dhe jo me çmime të ofruara nga qeveria. Ju sigurojmë se sado të zgjasin proceset gjyqësore, ne do të marrim të plotë të drejtën tonë. Strasburgu aty është, e drejta është me ne", theksoi Vorpsi.Legalizimet, Qeveria nuk i ka dhënë pronarëve 46 milionë euroShoqata "Pronësi me Drejtësi" i kërkon qeverisë të zhbllokojë fondin prej 45,8 milionë eurosh të parashikuar për kompensimin e kësaj shtresë si pjesë e procesit të legalizimit të zonave informale. Nënkryetari i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Myrshit Vorpsi deklaroi dje "se nga 5 nëntori qeveria ka nxjerrë 5 vendime për shpronësimin në një sipërfaqe toke prej 344.777 m2 ose rreth 34,4 ha kundrejt një vlerë prej 6, 28 milionë lekësh ose rreth 46 milionë euro. Në nenin 15/1, pika 2 të ligjit të legalizimeve përcaktohet se zyrat rajonale të AKKP-ve kompensojnë brenda 6 muajve në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë që pronarët duhet të ishin paguar deri më tani". "Qeveria deri më sot nuk ka paguar asnjë qindarkë. Ajo që kemi dëgjuar është se qeveria shqiptare, për këtë vit do të vërë në dispozicion shumën prej 8 milionë euro, ndërkohë që shuma e papaguar llogaritet 46 milionë euro", theksoi Vorpsi. Shoqata kontestoi dhe ndryshimet në ligjin e legalizimeve . "Futja në përdorim e letrave me vlerë ul vlerën e tokës nga 1000 lekë në 100 lek. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastet e pronarëve e legalizimit, shpronësimi i pronarëve bëhet mbi bazën e ligjit të shpronësimeve. Nisur nga kjo duhen bërë korrigjimet në ligjin e legalizimeve në mënyrë që dëmshpërblimi të bëhet nga ana e qeverisë brenda tre muajve", theksoi Vorpsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›