E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojë me automatikun e gjetur, vritet nga shoku 13-vjeçari

 POGRADEC/ GEZIM ASHIMILoja me një automatik kallashnikov i ka sjellë vdekjen një 13-vjeçari nga fshati Vërdovë, i rrethit të Pogradecit. Erind Liçkollari u qëllua nga moshatari i tij, i cili po mbante në duar armën e gjetur pak kohë më parë. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme, në një zonë periferike të fshatit Vërdovë, pranë Pogradecit. Një grup shokësh, mes tyre dhe Liçkollari, kishin dalë për të luajtur, meqë dje kanë pasur ditë pushimi për shkak të fundit të semestrit. Me vete ata kishin dhe një armë automatike, të cilën e kishin gjetur rastësisht. Mësohet se kanë qenë 5 fëmijë të së njëjtës moshë dhe të së njëjtës klasë. Ata i janë drejtuar kodrës mbi fshat, ku nuk janë mjaftuar për të luajtur me borë, por duket se kanë pasur qëllim të provonin armën automatike. Kurioziteti ka qenë i madh për nxënësit e klasës së tetë, të cilët i janë afruar depos së ujësjellësit të zonës, për të qenë sa më larg shtëpive të banimit. Në këtë kohë armën e mbante në duar Kësmet Latifllari, një bashkëmoshatar i viktimës. Nga pakujdesia ai ka provokuar shkrehjen e armës. Një plumb i vetëm i dalë nga arma automatike ka marrë në anën e majtë të trupit 13-vjeçarin Liçkollari, i cili ndodhej përballë shokut të tij të armatosur. Mes grupit të shokëve ai është rrëzuar, i mbuluar nga gjaku. Fëmijët e tjerë të tronditur nga kjo skenë kanë nisur të thirrin për ndihmë. I vetmi që ka pasur mundësinë t'i dëgjojë ka qenë roja i depos së ujësjellësit të Vërdovës. Ai ka lajmëruar me shpejtësi policinë e qytetit të Pogradecit. Me gjithë transportimin për në urgjencën e spitalit të të miturit, ai ndërroi jetë, për shkak të humbjes së një sasie të madhe gjaku. Të gjithë shokët e tij janë shoqëruar në komisariat për këtë vrasje. Ata mësohet se kanë thënë që armën e kishin gjetur të hedhur, duke e marrë atë me vete për të luajtur. Në mbrëmje, policia mbante të shoqëruar 13-vjeçarin Latifllari, por për shkak të moshës dhe ngjarjes së përcaktuar si aksidentale, ai pritet të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›