Fontana: Kini besim tek Ujkani
Ish-portieri i Kievos, Interit dhe Palermos, Alberto Fontana, komenton për “tuttomercatoweb” momentin e mirë që po kalon Samir Ujkani. “Jam i kënaqur me atë çka ai po jep në fushë. Palermo është një skuadër që konsiderohet elitare, paçka se nuk ka bërë një nisje të mirë të këtij sezoni. Në këtë këndvështrim është normale që edhe ai (Ujkani) të jetë ndier disi keq ose jo komod në mbrojtje të katërkëndorit, por për këtë nuk duhet dënuar. Këtë të diel bëri pritje spektakolare. Duhet ende të rritet (futbollistikisht), madje edhe kur je 40 vjeç, ke ende për të mësuar. Është një djalë inteligjent, që ka cilësi, por edhe përulësi”, ka argumentuar Fontana.