E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare: Kameruni rikthen Etonë, ndaj Shqipërisë

Samuel Eto

Lojtari do luajë më 14 nëntor në Gjenevë ndaj kuqezinjve.

Është zyrtare: Shqipëria do luajë ndaj Kamerunit të Samuel Etosë më 14 nëntor në stadiumin e Gjenevës në Zvicër, në orën 20:45.  Lajmi është konfirmuar edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila zyrtarizoi atë që “Panorama Sport” e pat publikuar që një ditë pas ndeshjes me Slloveninë. Siç dihet, kjo është një datë e lënë e lirë nga FIFA dhe UEFA për ndeshje ndërkombëtare (ka skuadra që luajnë ndeshje zyrtare kualifikuese në grupet e tyre, në varësi të kalendarit që kanë vendosur që në fillim), ndaj edhe FSHF-ja e ka shfrytëzuar duke i ardhur në ndihmë De Biazit për një përballje ndaj një skuadre, ndër më të mirat në kontinentin afrikan. Ndërkaq, duhet thënë se përballja me Kamerunin përbën një sfidë historike për kuqezinjtë, sepse ne nuk kemi luajtur asnjëherë më parë zyrtarisht me një skuadër nga kontinenti afrikan. I vetmi ballafaqim është ai ndaj Algjerisë në një miqësore në vitin 1976, kur dhe kemi fituar 3-0, por kjo nuk njihet nga FIFA, pasi Shqipëria ishte e dënuar që të mos luante ndeshje ndërkombëtare në atë periudhë. Por përtej kësaj statistike, domethënëse gjithsesi, ajo që e bën më interesante këtë ndeshje, është fakti se përballë kuqezinjve do të zbresë në fushë edhe Samuel Eto. Lojtari më i paguar në botë (merr 20 milionë euro neto në sezon te rusët e Anzhi), ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë ndeshje, çka përbën edhe një rikthim prej gati dy vitesh të këtij futbollisti në kombëtare. Eto ka përfunduar pezullimin nga përfaqësuesja dhe është ftuar nga trajneri i Kamerunit për miqësoren me Shqipërinë. Sulmuesi 31-vjeçar ishte pezulluar, pasi pat drejtuar një protestë të futbollistëve kamerunas për mospagim të bonuseve. Kjo protestë detyroi përfaqësuesen që të anulojë ndeshjen miqësore me Algjerinë, ndërsa Federatës së Futbollit të Kamerunit iu desh të paguante dëmshpërblim për algjerianët. Pas pezullimit, Eto mendoi të largohej përfundimisht nga kombëtarja, por ka qenë ndërhyrja e vet Kryeministrit të vendit që ka bërë që lojtari të rikthehet në skuadër. Kameruni është një nga skuadrat elitare të kontinentit afrikan. Momentalisht skuadra drejtohet nga Zhon-Pol Akono dhe kapiten është lojtari më i paguar në botë (20 milionë euro në sezon), Samuel Eto. Në muajin shtator renditen në vendin e 71-të në FIFA, ndërsa pozicionimi më i mirë është vendi i 11-të në nëntor 2006. Ndërsa më i keqi është pikërisht pozicionimi aktual. Ndeshja e parë zyrtare e Kamerunit daton më 13 prill 1960 ndaj Dxhibutit, e fituar 9-2, e cila është edhe fitorja më e thellë. Ndërsa humbja më e thellë daton më 31 tetor 1990 në Norvegji-Kamerun 6-1. Në Kupën e Botës ka marrë pjesë gjashtë herë, teksa rezultatin më të mirë e ka në “Italia 90″, ku u fut në tetë ekipet më të mira të Botërorit. Sakaq, Kameruni ka fituar katër herë edhe Kupën e Afrikës, në 1984, 1988, 2000 e 2002.

LEONRAD KARAJ

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›