U-17/ Shqipëria, rekord dhe eliminim
Futbollistët e Shqipërisë (U-17) kanë shënuar fitoren më të thellë në grupin 8-të të kualifikimeve për Europianin e 2013-s 6-0 kundër Lihtenshtejnit, por gjithashtu janë eliminuar, duke mos vazhduar dot për në “Elite Raund”. Autorë të golave për Kombëtaren shqiptare ishin: Xhemo, Aliu, Lokaj, Tahiraj, Rashica dhe një autogol i mbrojtësit Tshutsher. Gjatë këtij takimi, futbollistët shqiptarë kanë qenë dominues, aq sa homologët e tyre nga Lihtenshtejni, sipas informacioneve të marra nga faqja zyrtare e UEFA-s nuk e kanë rrezikuar qoftë edhe një herë të vetme portën e mbrojtur nga Elezaj. Trajneri i skuadrës sonë, Xhemal Mustedanagiç, bëri disa ndryshime në formacionin titullar për këtë takim, duke dashur që t’u jepte mundësi edhe disa lojtarëve të tjerë, të cilët nuk patën rastin të luajnë si titullarë në dy takimet e para ndaj Italisë dhe Hungarisë. Dje luajti Rashica, Ndoj, Shahinaj dhe Tahiraj nga minuta e parë, ndërsa Mukja, Beqiri e Bregasi u ulën fillimisht në stol. Kujtojmë se Lorik Aliu pati shansin që të siglonte një dopietë në minutën e 75-të me anë të një penalltie, por kjo u neutralizua nga portieri i Lihtenshtejnit.
Lihtenshtejn-Shqipëri 0-6
Shënues: Xhemo 12′ Aliu 25′, Lokaj 38′, Tahiraj 39′, Rashica 62′, Tshutsher 77′ (autg)
Kartonë të verdhë: Tshutsher, Gopel, Volfinger, Tiefentaler, Majer/ Shahinaj, Çekiçi/ Karton i kuq: Sele 79′
Gjyqtarë: Robert Roxhers/ D.Brajton (IRL) dhe R.Horvath (HUN)
Lihtenshtejn: Majer, Oehri (Tiefentaler 22′), Mag, F.Kuaderer (E.Kuaderer 74′), Tshutsher, Sele, Meier (Kojsurenbars 66′), Volfinger, Salanoviç, Gopel, Riter. Trajner: Mikael Koler
Shqipëria: Elezaj, Xhemo, Ruci, Aliu, Stublla, Çekiçi, Lokaj, Rashica, Ndoj (Mukja 73′), Shahinaj (Beqiri 63′), Tahiraj (Xhepa 55′). Trajner: Xhemal Mustedanagiç