E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forbes: Taksa e sheshtë, Shqipëria precedent suksesi në botë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 03-10-2011 13:27

Nathan Lewis, editorialist në revistën “Forbes”, në një analizë të gjatë që bën për efektet pozitive të taksës së sheshtë edhe në periudhën e krizës, e sjell editorialin e tij me titullin e madh: “Suksesi i taksës së sheshtë na jep mëngjesin në Shqipëri”. Kjo shprehje, në fakt në origjinal ka qenë “mëngjes në Amerikë”, e huazuar nga periudha elektorale e vitit 1984. “Më 1 janar 2008, Shqipëria implementoi taksën e sheshtë prej 10% si për të ardhurat personale, ashtu edhe për bizneset, duke zëvendësuar një sistem taksash ku aplikoheshin nga 10-30% taksa për të ardhurat personale dhe 20% për të ardhurat nga biznesi. Rezultati? Të ardhurat u rritën me 18.4%, edhe pse 2008-ta ishte një vit krize ekonomike kudo në botë”, - citon editorialisti amerikan, Lewis. Në këtë mënyrë, revista “Forbes” po i bën jehonë taksës së sheshtë dhe suksesit të saj sidomos në Shqipëri, duke theksuar për të disatën herë zhvillimin e dekadës së fundit në vendin tonë. Sipas Nathan Lewis, aplikimi i taksës së sheshtë në Shqipëri, pavarësisht periudhës së krizës mbarëbotërore ka sjellë për vendin rritje të lartë, të ardhura të qëndrueshme/masa e PBB-së, rritje të të ardhurave qeveritare. Këta tregues në fakt, sipas tij, janë të përbashkët për vendet që aplikojnë taksën e sheshtë dhe të përsëritshëm. Duke përvijuar analizën e tij, Lewis citon se: “Kur Robert Ernest Hall dhe Alvin Rabushka publikuan librin ‘Taksa e Sheshtë’ në 1985-ën, ata nuk kishin shumë evidenca historike për t’u thelluar. Vetëm Jersey, Hong Kong dhe Guernsey kishin sistem të mirë-identifikuar të taksës së sheshtë, plus disa vende të tjera si Singapori me regjim takse të ngjashëm. Ata vijonin me valën politike të shkurtimit të taksave të Reganit. Ishte “Mëngjes në Amerikë”, shprehje e huazuar nga fushata elektorale për zgjedhjen e presidentit në 1984-ën. Sot, ideja e taksës së sheshtë është politikisht më e largët në SHBA, sesa në 1985-ën. Megjithatë, pjesa tjetër e botës e pikasi idenë. Sot, janë të paktën 40 qeveri me sistemin e taksës së sheshtë, shumë prej të cilave e kanë vendosur këtë sistem në dekadën e fundit”. Duke iu referuar të dhënave të tij, në këto vende përfshihen: Estonia (1994, 21%), Lituania (1994,15%), Latvia (1995, 23%), Rusia (2001, 13%), Serbia (2003, 12%), Bosnje dhe Hercegovina (2004, 10%), Sllovakia (2004, 19%), Ukraina (2004, 15%), Gjeorgjia (2005, 20%), Rumania (2005, 16%), Turkmenistani (2005, 10%), Kyrgyztani (2006, 10%), Shqipëria (2007, 10%), Mongolia (2007, 10%), Kazakhistani (2007, 10%), Mauritius (2007, 15%), Tajikistani (2007, 13%), Bullgaria (2008, 10%), Republika Çeke (2008, 15%), Bjellorusia(2009, 12%), Seychelles (2010, 15%) dhe Hungaria (2011, 16%). Por, disa prej këtyre vendeve, sqaron Lewis, janë duke pasur probleme kohët e fundit, të cilat i faturohen më së shumti paqëndrueshmërisë së monedhës dhe efekteve të përgjithshme të vështirësive ekonomike globale. “Ne mund të marrim vitin 2007 si vit përfaqësues para krize. Si përvijuan shtetet, të cilat kishin të implementuar taksën e sheshtë?! Për 13 vende, për të cilat informacioni ishte nga FMN-ja, rritja mesatare e PBB-së ishte 10.0%, duke u radhitur nga 6.2% (Sllovakia) deri në 23.1% (Ukraina). Megjithatë, numri impresionues fsheh fitime dramatike. “Sipas gjykimit tim, në vendet me rritje të lartë, masa e vërtetë e rritjes synohet të fshihet nga rregullimet e inflacionit. Çmimet rriten, dhe kjo nuk është për arsye të luhatjes së monedhës në kursin e këmbimit valutor, por vjen për shkak se njerëzit bëhen më të pasur. Qiratë, restorantet, hotelet, shërbimi mjekësor, edukimi dhe gjithçka tjetër është bërë shumë më e shtrenjtë. Megjithatë, të dhënat e PBB-së nominale tregojnë përshtypje më të mira për masën e vërtetë të rritjes. Mesatarja e rritjes së PBB-së nominale mes këtyre 13 vendeve që aplikojnë taksën e sheshtë ishte 21.8% në 2007-ën. Ne nuk po flasim për t’i shtuar pikë përqindjeje rritjes. Ne mund të shtojmë 10 pikë përqindjeje. Efektet kumulative janë befasuese”, - analizon ai.

Në të njëjtën kohë, Lewis sqaron se, mes 10 vendeve të cilat aplikonin taksën e sheshtë, të dhënat cilat janë të disponueshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, 6 vende ata kishin rritje si përqindje të PBB-së, në krahasim me sistemin e vjetër të taksave. Befasia e vetme jo e mirë ka qenë Sllovakia, ku PBB-ja e saj ra në 40.57% nga 45.60%. “Gjithsesi, duke kombinuar rritjen tipike të PBB-së nominale me masën e rritjes së qëndrueshme, nëntë vende nga 10 me eksperiencën e taksës së sheshtë patën mundësi të provonin rritjen që në vitin e parë të implementimit të taksës së sheshtë. Rritja mesatare ishte 17.7% duke përjashtuar Estoninë, kishte një rritje 81%. Edhe Sllovakia pati një rritje prej 6.1%. Mongolia me taksën e sheshtë prej 10%, pati një rritje prej 40%, me 33% rritje të të ardhurave. I vetmi përjashtim ishte Republika Çeke, që pati një rënie të ardhurash me 0.50%. Edhe kjo mund të shpjegohet me faktin se Republika Çeke e implementoi taksën e sheshtë në vitin 2008, viti i krizës ekonomike në mbarë botën...Kështu që, referuar të dhënave të disponueshme për vendet që e implementonin taksën e sheshtë, ajo ka sjellë: rritje të lartë, të ardhura të qëndrueshme/masa e PBB-së, rritje të të ardhurave qeveritare. Këta tregues në fakt janë të përbashkët për këto vende dhe të përsëritshëm. Rusia, e cila e implementoi taksën e sheshtë në 2001-shin, paraqet një nga shembujt më të mirë për termat afatgjatë”, - shpjegon ai. Po sipas të dhënave të tij, mes vitit 2000 dhe 2008, PBB-ja e Rusisë (në termat e dollarit amerikan) u rrit mesatarisht me 26% në vit. Rezultati përfundimtar është se PBB-ja në 2008-ën ishte 546% më e lartë se në 2000-in. Gjëja më interesante është se mes 2000 dhe 2008, popullsia e Rusisë ra nga 146.7 mln në 141.4 mln.

Gjithsesi,duke kombinuar rritjen tipike të PBB-së nominale me masën e rritjes së qëndrueshme, nëntë vende nga 10 me eksperiencën e taksës së sheshtë, patën mundësi të provonin rritjen që në vitin e parë të implementimit të taksës së sheshtë. Rritja mesatare ishte 17.7%

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›