E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Rritje galopante e borxhit në tatime dhe dogana

SHKRUAN: Blerina Hoxha 03-10-2011 13:23

Administrata tatimore dhe ajo doganore kanë thelluar dukshëm borxhin dy vitet e fundit në krahasim me vitet paraardhëse, duke shtuar kështu një element të ri me shumë risk për ekonominë e vendit, vlerëson Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të fundit. Sipas KLSH-së, borxhi në tatime dhe dogana i marrë së bashku në fund të vitit 2010, ka arritur shumën e 10.2 miliardë lekëve ose rreth 60 milionë euro. Pjesën më të madhe të detyrimeve mbartin tatimet, me 58 miliardë lekë. Vetëm për vitin 2010, borxhi në tatime dhe dogana është rritur me rreth 20 për qind. KLSH-ja vë re se, borxhi në organet e mbledhjes së taksave rritet më së shumti në vitet zgjedhore. Dëshmi për këto raste janë vitet 2005, 2009 dhe 2011. Në vitin 2005 ka pasur zgjedhje të përgjithshme dhe borxhi tatimor u rrit me plot 23 %; në vitin 2009, ku përsëri ka pasur zgjedhje të përgjithshme, borxhi është rritur me 33%.

Borxhi tatimor

Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se, administrimi i borxhit në tatime po kthehet në një problem serioz për ekonominë në tërësi. Bazuar në të dhënat e KLSH-së, borxhi tatimor arrin në fund të vitit 2010 në 58 miliardë lekë nga 49 miliardë lekë që ishte në fund të vitit 2009. Me një rritje prej gati 9 miliardë lekësh ose rreth 17 për qind. Kështu, vlera e borxhit të akumuluar nga tatimet zë gati 50 për qind të të ardhurave të grumbulluara nga tatimet gjatë vitit 2010, ndërsa kundrejt Prodhimit të Brendshëm Bruto, vlera e borxhit arrin 4.7 për qind. Referuar të dhënave të KLSH-së, pjesën më të madhe të borxhit tatimor e zënë debitorët që nuk kanë paguar tatimet dhe taksat, si dhe debitorët nga sigurimet shoqërore në masën 7.4 miliardë lekë. Nga pikëpamja kohore e detyrimeve, rezulton se rreth 84 për qind e tyre ose 49.6 miliardë lekë i zënë debitorët e trashëguar nga viti 2009 e përpara, ndërsa 15.2 për qind ose 8.8 miliardë lekë i zënë debitorët e krijuar gjatë vitit 2010. Masa më e madhe e debitit të krijuar i përket pikërisht viteve zgjedhore 2005 dhe 2009. Vlera më e lartë e debitit tatimor peshon në Tiranë, ku borxhlinjtë kryesojnë listën me 38.2 për qind të vlerës së borxhit në total. Dega e tatimpaguesve të mëdhenj kryeson listën, me13 miliardë lekë borxh në tatime.

Borxhi doganor

Borxhi doganor në fund të vitit 2010 rezultoi me një rritje, si në vlerë, ashtu edhe në numër subjektesh. Sipas të dhënave nga DPD-ja, gjendja në vlerë e këtij borxhi nga 10 miliardë lekë në fillim të vitit 2010, ka arritur në 12.2 miliardë lekë në fund të po këtij viti. Rritja neto rezulton me 1.9 miliardë lekë ose 18 për qind. Kundrejt të ardhurave doganore të realizuara në vitin 2010, vlera e borxhit zë rreth 10.3 për qind të tij, nga rreth 9.9 për qind që zinte një vit më parë. Nga kontrollet e ushtruara nga KLSH-ja në Drejtorinë e Doganave dhe degët doganore, ka rezultuar se rritja e borxhit doganor është rrjedhojë e krijimit të borxhit të ri gjatë vitit 2010. Gjatë këtij viti, borxhi doganor është pakësuar në vlerë me 2.7 miliardë lekë, ndërkohë që është shtuar borxhi i ri në vlerën e 4.6 miliardë lekëve, me një diferencë prej 1.8 miliardë lekësh. Sipas KLSH-së, raporti ndërmjet borxhit të pakësuar dhe me atë të shtuar, respektivisht në masën 70 për qind më tepër, tregon për punën e pamjaftueshme të administratës doganore për menaxhimin e arkëtimeve dhe borxhit në tërësi. Ndërkohë që numri i subjekteve debitore në dogana gjatë vitit që shkoi ka arritur në 2516, me një rritje 9.2% më shumë se një vit më parë. Krijimi i borxheve të reja dhe rritja e numrit të subjekteve me detyrime të papaguara janë konstatuar në të gjitha degët doganore, por më së shumti në doganën e Durrësit.

Borxhi tatimor në vite, në vlerë dhe përqindje

2005 13.7 miliardë lekë ( 23%)

2006 3.8 miliardë lekë (6%)

2007 3.8 miliardë lekë (6.5%)

2008 8.4 miliardë lekë (14.4%)

2009 19.7 miliardë lekë (33%)

2010 8.8 miliardë lekë (15.2%)

Totali i borxhit tatimor 58.5 miliardë lekë

Nga tatimet dhe taksat 49 miliardë lekë

Nga gjobat 818 milionë lekë

Nga arkat regjistruese 195 milionë lekë

Nga kontributet shoqërore 7.4 miliardë lekë

Nga kontributet shëndetësore 399 miliardë lelë

Nga kontribute të tjera 159 milionë lekë

Nga letrat me vlerë 508 milionë lekë

Nga detyrime të tjera 9 milionë lekë

Borxhi doganor

Totali, 10.2 miliardë lekë

Detyrime të papaguara 3.9 miliardë lekë

Detyrime nga gjobat 6.2 miliardë lekë

Kamatëvonesat 2 miliardë lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›