E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forca e Sigurisë, me uniforma amerikane

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Fehmi Mujota, prezantoi dje uniformën e re të pjesëtarëve të FSK-së, donacion i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Prezantimi u bë gjatë një takimi me mediat, ku uniformën e re e kishin të veshur dy kadetë të rinj. Uniforma e re ka ngjyrë të gjelbër, ndërsa bereta është e zezë. Emblema, që është flamuri i Kosovës, ndodhet e vendosur në krahun e majtë, emblema e njësisë në të djathtë, kurse emblema e gradës është e vendosur në gjoks.

Rregulloret

Ministri Mujota tha se kjo është një ditë e shënuar në historinë e krijimit të FSK-së. Ai theksoi se, mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet që e rregullojnë punën e Ministrisë së FSK-së, tashmë janë hartuar dhe po miratohen edhe rregulloret e para: Rregullorja për rekrutim në FSK, Kodi i Mirësjelljes, rregullorja mbi mbajtjen dhe përdorimin e armëve nga FSK-ja, kodi disiplinor, rregullorja mbi pushimet dhe ajo mbi emblemat dhe simbolet. Ligji për FSK-në përcakton 9 grada për oficerët e FSK-së, duke filluar nga nëntogeri deri te gjeneral-lejtnanti dhe 6 për nënoficerë, prej ushtarit deri te flamurtari. Duke shpjeguar shkurtesën KSF (Kosovo Security Force) në beretë, ministri Mujota tha se kjo u mundëson forcave të Aleancës së NATO-s t‘i identifikojnë më lehtë pjesëtarët e FSK-së.

Emblema e njësisë së pjesëtarëve të FSK-së që punojnë në ministri dhe në Komandën e Forcave Tokësore është luani dhe ylli gjashtëcepësh. Luani u tha se simbolizon fuqinë e FSK-së, ylli të ardhmen, shpresat dhe aspiratat e, gjithashtu, edhe diellin që ndriçon Kosovën. Emblemat e tjera për njësitë tjera do të dizajnohen me ngritjen e tyre dhe do të jenë në përputhje me ligjin e FSK-së.

Gradat

Një yll përcakton gradën e Gjeneralit të Brigadës, dy yje gradën e Gjeneral-Majorit, tre yje gradën e Gjeneral-Lejtnantit. Emblema për oficerët e tjerë do të përbëhet nga ylli gjashtëcepësh që qëndron mbi valët e ujit dhe zinxhirit. Valët e ujit simbolizojnë jetën dhe lëvizjen përpara, zinxhiri simbolizon unitetin dhe fuqinë.

Emblema për oficerë me gradë Majori deri te Koloneli përbëhet prej yllit gjashtëcepësh mbi simbolin e valës dhe zinxhirit - një yll shënon gradën e Majorit, dy yje i ka grada e Mënkolonelit dhe tre yje Koloneli.

Oficerët me grada më të ulëta kanë të njëjtin dizajn dhe vetëm vargun zinxhiror. Një yll shënon gradën e Nëntogerit, dy yje shënojnë Togerin, tre yje Kapitenin.

Emblemat e tjera përfshijnë simbolet e njëjta mbi shenjën në formë të shiritit të gradës. Grada e Flamurtarit përbëhet nga ylli gjashtëcepësh i rrethuar me dy shpata që priten dhe dafina, mbi tre shirita në formë të gradës. Shiritat simbolizojnë krahët e shqiponjës, kanë kuptimin e vizionit, shpejtësisë dhe ekuilibrit.

Emblema e gradës Kapter ka një trekëndësh me majën lart, të rrethuar me shpatat që priten dhe dafina mbi tre shirita në formë të gradës.

Emblema e Rreshterit të Klasit I e ka yllin gjashtëcepësh mbi shiritin e plotë në formë grade.

Emblema e gradës Rreshter ka një trekëndësh me majën lart mbi shiritin e plotë në formë grade.

Emblema e Tetarit ka yllin gjashtëcepësh, ndërsa ajo e Ushtarit ka trekëndëshin me majën lart.

Simbolika

Emblema e FSK-së është Flamuri i Republikës së Kosovës, bartet nga të gjithë pjesëtarët, e vendosur në uniformë në pjesën e sipërme të krahut të majtë

Emblema e Njësisë është e vendosur në uniformë në pjesën e sipërme të krahut të djathtë

Emblema e Gradës është e vendosur në uniformë në pjesën e sipërme qendrore të gjoksit

Emblema e Njësisë së Pjesëtarëve të FSK-së që punojnë në Ministri dhe në Komandën e Forcave Tokësore është luani dhe ylli gjashtëcepësh. Luani simbolizon fuqinë e Forcës së re të Kosovës

Ylli përbëhet nga dy trekëndësha - njëri (i sipërmi) simbolizon shpresat dhe aspiratat për të ardhmen e Kosovës, ndërsa tjetri (i poshtmi) simbolizon diellin që ndriçon Kosovën

Gjashtë cepat shënojnë komunitetet në Kosovë

Emblema e Beretës do të jetë me të njëjtin dizajn dhe në mes me shkronjat KSF (Kosovo Security Force)

Emblema për oficerë me gradë Gjenerali do të përbëhet nga ylli gjashtëcepësh i rrethuar me dy shpata që priten mes tyre të rrethuara me dafina. Shpatat simbolizon lirinë dhe fuqinë, dafina simbolizon fitoren dhe lavdinë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›