E Diel, 1 Nëntor 2026

OPEC shqiptar?

Tregu i karburanteve në Shqipëri duke përfshirë naftën, benzinën, vajgurin, solarin dhe nënproduktet e tjera zë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm në ekonominë kombëtare ashtu si dhe në vendet e tjera. Mjafton të përmendim qarkullimet kolosale të këtij tregu. Volumi i konsumit të karburanteve dhe nënprodukteve për vitin 2006 ishte rreth 980,000 ton. Sipas të dhënave nga doganat shqiptare, në vitin 2007 Shqipëria importoi rreth 650 milionë dollarë karburante dhe nënprodukte (kodi doganor HS 27). Duke i shtuar importit edhe prodhimin vendas që zë rreth 25% të tregut i bie që tregu total vjetor për vitin 2007 të ketë qenë rreth 900 milionë dollarë. Në një kohë që GDP e vitit 2007 e llogaritur nga Ministria e Financave është rreth 11 miliardë dollarë, rezulton që ky treg të jetë rreth 8% e GDP, një shifër me të vërtetë e frikshme. Nga ana tjetër, rritja e tregut e kalon në mënyrë të pakrahasueshme rritjen e GDP. Përsëri sipas të dhënave zyrtare të doganave, shifra e importit të karburanteve dhe nënprodukteve është rritur nga viti 2003 në vitin 2007 me rreth 285% në një kohë që GDP është rritur mesatarisht me 6% në vit. Kjo rritje e madhe është influencuar edhe nga formalizimi i importit, por gjithsesi, një shifër e tillë nuk mund të jetë vetëm rezultat i formalizimit. Nëse ky trend vazhdon, pesha specifike që do të zërë në ekonominë kombëtare tregu i karburanteve dhe nënprodukteve do të vijë vazhdimisht në rritje.

Rritja e madhe e çmimeve të karburanteve, sidomos nga viti 2007 deri në gjysmën e parë të vitit 2008 ishte arsyeja kryesore e inflacionit që Shqipëria importoi nga tregjet ndërkombëtare. Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë se karburanti është ndoshta produkti më i "shtrirë" në koston e çdo produkti tjetër. Në çdo industri dhe çdo biznes karburanti është një element i rëndësishëm i kostos. Nëse rritja e çmimeve të produkteve ushqimore nuk ka lidhje me produktet e tjera dhe prek kryesisht shtresat e varfra të shoqërisë, rritja e çmimeve të karburanteve ndikon në koston e çdo produkti dhe prek njësoj të gjitha shtresat e shoqërisë dhe ekonominë kombëtare përmes inflacionit.

Përveç ndikimit në komponentët e kostos së çdo produkti, karburanti ka disa cilësi specifike, të cilat i japin një rëndësi të madhe strategjike tregut të tij që janë kuotimi i karburantit si mall burse, varësia e ekonomive nga burimet energjetike etj. Rëndësia strategjike në tregjet ndërkombëtare dihet dhe mund të citohen me qindra fakte në lidhje me këtë. Mjafton të përmendim ekzistencën e OPEC, organizatës së disa prej vendeve më të rëndësishme eksportuese të karburanteve. Kjo organizatë që funksionon si një kartel oligopolistik ka një influencë të konsiderueshme në përcaktimin e çmimit në tregjet ndërkombëtare (në bursa) përmes kontrollit të prodhimit dhe kuotave mbi eksportet e vendeve anëtare. Duke reduktuar artificialisht ofertën e karburanteve, çmimet mbeten të larta në një mënyrë të sforcuar. Në vitin 1973, fuqia e kësaj organizate e çoi globin në një krizë nafte të paprecedent. Sot, me zbulimin e burimeve të reja të karburanteve në Gjirin e Meksikës dhe në Detin e Veriut, fuqia e OPEC për të ndikuar mbi çmimet është reduktuar ndjeshëm e megjithatë organizata mbetet një lojtar i rëndësishëm në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare.

***

Zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare kanë nxjerrë zbuluar dhe lakuriq situatën tërësisht abuzive të tregut të karburanteve në Shqipëri. Kështu, një litër naftë D2 shitet sot në tregun e pakicës jo më pak se 120 lekë të reja. Rreth 3 muaj më parë kur çmimi për fuçi i naftës bruto në bursa ishte 147 dollarë çmimi i shitjes me pakicë së naftës D2 ishte 155-160 lekë për litër. Sot, çmimi i një fuçie në bursë ka rënë në 44 dollarë për fuçi. Pra i bie që një rënie me 70% e çmimit në tregjet ndërkombëtare të jetë reflektuar në një rënie të çmimit të shitjes me pakicë në tregun vendas vetëm 22%?! Një analizë e tillë është e paplotë, sepse nuk merr parasysh me ekzaktësi të gjithë elementët e kostos së karburantit. Duke qenë e tillë, kjo analizë e paraqitur rëndom në media ditët e fundit i jep terren kompanive të karburantit për të dalë me kundërargumente të tillë si taksat e larta, akciza etj etj. Megjithatë, mjafton një analizë pak më e detajuar dhe gjithsesi e thjeshtë për të hequr mundësinë e çdo kundërargumenti që lidhet me taksat dhe për të nxjerrë tërësisht zbuluar situatën abuzive të tregut.

Sot, në kushtet kur çmimi në tregjet ndërkombëtare ka rënë në 44 dollarë për fuçi, kostoja e një litri naftë D2, duke përfshirë çdo element të kostos përveç taksave është 36 lekë. Akciza është 75% e kësaj kostoje dhe nuk mund të jetë më e ulët se 27 lekë ose më e lartë se 37 lekë për litër. Pra, duke pasur parasysh këtë kosto, akciza është 27 lekë për litër. Taksa e karbonit, një tjetër taksë që aplikohet mbi naftën është 1 lek për litër. Së fundmi, TVSH, që aplikohet mbi koston e naftës plus akcizën dhe taksën e karbonit, është 20% që i bie të jetë rreth 12,7 lekë për litër. Në total, kostoja për një litër naftë D2 për kompanitë tona të karburanteve, duke përfshirë të gjithë elementët e sipërpërmendur është 77 lekë për litër. Sikur të llogarisim një fitim normal prej 7-8% mbi koston për shitjen me shumicë dhe 15% mbi koston për shitjen me pakicë, çmimi i shitjes me pakicë së naftës D2 në treg duhej të ishte rreth 95 lekë për litër. Është 120 lekë?! Pra 25 lekë më tepër se çmimi normal i një tregu funksional dhe konkurrencial.

Kjo sëmundje relativisht e re e abuzimit ekstrem me çmimet sigurisht që vazhdon të shoqërohet nga sëmundjet e vjetra të tregut. Një nga mashtrimet më të rëndomta që kanë ndodhur e që ndodhin sot e gjithë ditën në treg është abuzimi me naftën D1, të ashtuquajturën Eurodiesel. Përjashto disa pika të shitjes me pakicë, të gjitha pikat e tjera mashtrojnë haptazi duke shitur naftë D2 në vend të naftës D1, aq sa mjeshtrit e këtij tregu i referohen me nënqeshje naftës D1 si thjesht reklamë. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur shumica dërrmuese e pikave të shitjes me pakicë të karburantit lundrojnë në një informalitet të hapur, sepse vetëm pak prej tyre janë të pajisura me të gjitha lejet speciale që duhen për të operuar një pikë të tillë. Në fakt, shumica as që i kanë leje të tilla speciale si leja e impaktit në ambient etj. Një tjetër abuzim për të cilin qytetarët flasin rëndom është vjedhja në peshë. Pastaj është cilësia mjaft e dobët e kështu me radhë, xhevahire nga më të ndryshmet të një tregu absurd ku operojnë 900 pika të shitjes me pakicë të karburantit në nivel kombëtar në një kohë që fqinji ynë, Mali i Zi, ka vetëm 75 të tilla.

***

Shkaqet që kanë çuar në një situatë të tillë abuzive në një treg me rëndësi strategjike janë disa. Strukturat shtetërore kanë pa diskutim pjesën e tyre të përgjegjësisë. Pesha e joshjes nga korrupsioni është shumë e madhe aq sa ç‘është dhe vetë tregu i karburanteve dhe hapësirat e abuzimit. Me dashje ose pa dashje, si rezultat i paaftësisë apo papërgjegjshmërisë, strukturat përkatëse kanë lejuar dhe vazhdojnë të lejojnë ekzistencën e një situate të tillë. Megjithatë, nëse deri sot, abuzimet mund t‘ia linim rastësisë apo vullnetit të mbrapshtë të ndonjë tregtari a zyrtari, situata e re me çmimet të bën të mendosh ndryshe dhe të ngresh disa pikëpyetje. A merren vesh kompanitë e tregtimit me shumicë të karburanteve për të caktuar në treg çmime artificiale që sjellin fitime abuzive? A ka ndikuar dhe a do të ndikojë privatizimi i ARMO-s në krijimin e balancave të reja që mund ta çojnë tregun drejt një situate oligopolistike me nuanca monopoli? A mund të flasim për një kartel alla shqiptar (OPEC shqiptar) të kompanive që caktojnë abuzivisht çmimet dhe fitimet, sipas orekseve të tyre dhe të zyrtarëve të korruptuar?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›