E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi qe penalizon, tej se majtes dhe te djathtes

Sikundër po dëshmohet me argumente të shumta ditët e fundit, Kodi Zgjedhor i hartuar dhe miratuar me konsensus nga PS-PD, por i kthyer mbrapsht nga Presidenti i Republikës, është i themeluar mbi dhunimin e barazisë së konkurrencës të partive jo satelite të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Për Berishën nuk habitemi, sepse dhunimi i atyre që e kundërshtojnë ka qenë një konstante politike e tij në këto 18 vjet. Ai që vazhdon të na habisë është Rama. Dhe jo vetëm për ingranimin kaq lehtësisht në një inxhinieri sociale autoritariste, por edhe për faktin se nuk u qëndron dot besnik as parullave të tij të gabuara. Dhe konkretisht, as motos së tij të famshme "tej së majtës dhe së djathtës". Sepse Kodi Zgjedhor, që Rama këmbëngul të rivotohet sa më shpejt, në fakt nuk penalizon vetëm LSI apo LZHK, por të gjithë ata që qëndrojnë tej së majtës e të djathtës aktuale dhe që do të duan të konkurrojnë nesër politikisht.

***

Parulla e Edi Ramës "tej së majtës dhe të djathtës", për nga konotacioni unitar dhe populist (nuk duhet harruar që populizmi është fashizmi i kohës sonë) është një moto absurde për një shoqëri pluraliste. Veçanërisht për shoqëri me pluralizëm foshnjor si Shqipëria, ajo është një parullë që mbars shumë kërcënime për lirinë e konkurrimit dhe organizmit të lirë politik. E megjithatë, lidershipi i Ramës nuk është në gjendje të marrë vendime politike as në sinkron edhe me këtë parullë. Dhe jo rastësisht. Sepse parulla tej së majtës dhe së djathtës hidhet sot me qëllimin, që e majta e Ramës të përfshijë gjithçka, duke fshirë gjithçka tjetër që refuzon të përfshihet.

Sikundër argumentohet mjaft qartë në një studim të Institutit Liberal Shqiptar, bërë publik dy ditë më parë, mënyrat që përdoren për të llogaritur ndarjen e mandateve, favorizojnë të gjitha ato parti satelite të PS dhe PD, ndërkohë që diskriminojnë negativisht jo vetëm parti si LSI, PS ‘91, LZHK, PDK, por edhe të gjithë ato parti të treta që mund të dalin apo edhe aktorë politikë që nuk pranojnë t‘u nënshtrohen strategjive të Ramës ose Berishës. Kjo do të thotë që penalizohen të gjithë ato forca, organizime apo lëvizje qytetare "tej së majtës dhe së djathtës" që do të duan të konkurrojnë në një të ardhme. Kjo arrihet nëpërmjet dhunimit që Kodi, për të cilin këmbëngul të miratojë Rama, bën barazinë e votës dhe të konkurrencës.

Sipas mekanizmit llogaritës të këtij Kodi, një parti që është brenda së majtës dhe të djathtës ramo-berishiste, e nxjerr një deputet me më pak vota se të gjithë ato parti, organizime elektorale qytetare apo edhe kandidatë të pavarur, që qëndrojnë tej kampeve të së majtës dhe së djathtës së Ramës apo Berishës. Jo rastësisht, edhe eurodeputetja gjermane, Kalkenbach, ka tentuar dje të sensibilizojë deputetët shqiptarë (edhe ata socialistë e demokratë) për dëmin e madh që do t‘i sjellë një Kod i tillë pluralizmit politik, pra edhe demokracisë në Shqipëri. "Jam e shqetësuar që ajo pjesë e shoqërisë suaj që nuk duan të jenë anëtarë të Partisë Socialiste apo Demokratike, kanë shanse të pakta për të qenë pjesëmarrës aktivë në strukturimin e të ardhmes së Shqipërisë", - shkruan gjithë alarm Kalkenbach, në një letër drejtuar Kryetares së Kuvendit, Topalli.

Dhe ky nuk është as më shumë dhe as më pak, por një alarm për padrejtësinë që po u bëhet të gjithë atyre që guxojnë të dalin tej të majtës së Ramës apo të djathtës së Berishës. Një alarm për shkeljen e barazisë së konkurrimit dhe të votës, që është edhe thelbi i demokracisë. Dhe pa një barazi të tillë nuk mund të ketë demokraci reale, por vetëm autoritarizëm real. Ja përse themi që Kodi në fjalë nuk është një Kod Zgjedhor, por "përzgjedhor". Ai u jep mundësi lidershipëve të partive të mëdha të kultivojnë satelitizmin e ndyrë politik, duke "përzgjedhur" dhe ndëshkuar të gjithë ata që guxojnë të dalin nga orbitat e PS apo PD, duke penalizuar padrejtësisht të gjithë ata që guxojnë të bëjnë atë që Rama e përflet lart e poshtë si vjershë pa e kuptuar, pra të shkojnë "tej së majtës dhe së djathtës".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›