Konflikti, eksploziv pronarit të një lokali
Një sasi eksplozivi është vendosur në një lokal në Tiranë, ndërkohë që policia ka shoqëruar një të dyshuar për këtë atentat, i cili mendohet se është kryer për shkak të një konflikti. Sasia e lëndës plasëse është vendosur në një lokal në Bathore, por ende nuk ka prova për autorësinë e kësaj ngjarjeje. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se në orën 02.00, në lagjen Nr. 4, Kamzë, në oborrin e lokalit të Tonin Ndue Pjetrit, 42 vjeç, është hedhur një sasi lënde plasëse. Me t‘u njoftuar për këtë shpërthim, policia ka mbërritur në vendngjarje, ku rezultoi se nga plasja është dëmtuar pjesërisht mjeti tip "Toyota", me targa TR 2343 K dhe xhamat e lokalit, të dyja në pronësi të shtetasit të lartpërmendur. Më tej, grupi hetimor shpjegoi se nga deklarimet e Tonin Pjetrit, rezulton se i vetmi konflikt që ka është me Fatos H., 21 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në adresën e mësipërme. Ky person është shoqëruar nga policia dhe është marrë në pyetje për këtë ngjarje, të cilën nuk e ka pranuar, duke treguar edhe alibinë e tij. Burimet policore bënë të ditur se pas konsultimit me prokurorin, u la në gjendje të lirë dhe po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.