E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishinger: EULEX-i, një hap përpara

Ish-ndërmjetësi i BE-së në bisedimet shtesë për statusin e Kosovës, ambasadori Volfgang Ishinger, ka deklaruar se misioni evropian për drejtësi dhe polici do të punojë mbi bazën e udhëzimeve dhe të mandatit nga BE-ja. Ai tha se misioni i EULEX-it është vonuar me muaj të tërë në vendosjen e tij në Kosovë dhe se është humbur kohë për shkak të vështirësive ligjore dhe politike. Në një intervistë me BBC-në, ambasadori Ishinger e cilësoi vendosjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës si një hap të rëndësishëm, i cili, sipas tij, do të çojë drejt vendosjes së aranzhmaneve praktike, si dhe të kontakteve rreth çështjeve praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Cilat shihni ju si sfida për misionin e EULEX-it në Kosovë tani pas vendosjes së tij?

Para se të flas për sfidat, më lejoni të them diçka për sukseset. Unë besoj se vendosja e EULEX-it është një sukses i madh, një sukses i pritur gjatë dhe unë do të doja që kjo të kishte ndodhur pesë muaj më parë. Por është e mirë që kjo po ndodh tani, megjithëse ka shumë pikëpamje se çfarë në fakt kjo nënkupton, i përcjellë me këtë vendim për vendosje i marrë në Kosovë dhe në Beograd. Para së gjithash, unë e shoh këtë si një sukses, meqë është një vendim që çon përpara dhe jo prapa.

Cilat janë sfidat? Nga pikëpamja ime, sfidat para së gjithash janë që të kuptohet se ky vendim për vendosje, në mënyrën se si është bërë, është pjesë e një tranzicioni të vazhdueshëm të Kosovës. Kjo nuk është fjala e fundit në evoluimin e situatës në Kosovë në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Por është një hap dhe mendoj se do të shndërrohet në një hap të dobishëm. Unë jam shumë optimist se çfarë do të thotë ky vendim dhe ku çon ai.

Ju po thoni se do të ishit më të kënaqur sikur shtrirja të kishte ndodhur pesë muaj më parë. Çfarë do të ndryshonte sikur kjo të bëhej më herët?

Mendoj se do të ishte e dëshirueshme që të kishte një mundësi të vendosjes së këtij misioni të rëndësishëm të BE-së në të gjitha pjesët e Kosovës muaj më parë. Ne humbëm kohë për shkak të vështirësive ligjore dhe politike. Edhe përkundër kësaj unë jam i vetëdijshëm se jo çdo kush është entuziast për rezultatin e arritur, por është e mirë që në aspekte ligjore dhe në një paqe ligjore ne kemi miratimin e OKB-së. Mendoj se ky është një hap i ri i rëndësishëm dhe që, mendoj unë, do të çojë drejt diçkaje që gjithashtu është pritur shumë gjatë, dhe kryesisht drejt vendosjes, hap pas hapi, të aranzhmaneve praktike, të kontakteve rreth çështjeve praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ambasador ka pasur shumë debate rreth misionit evropian për drejtësi dhe polici. Ka zëra që thonë se ai duhet të funksionojë mbi bazën e Rezolutës 1244 të tjerët thonë se ai duhet t‘i nënshtrohet Kushtetutës së Kosovës. A është kjo një situatë e ndërlikuar në të cilën po hyn EULEX-i?

Nuk më duket kështu. EULEX-i do të punojë mbi bazën e instruksioneve që ka nga BE-ja. Dhe pikë! Në rregull. EULEX-i do të ketë mandatin e tij dhe urdhrat e udhëzimet do të vijnë nga Brukseli dhe jo as nga Berlini as Uashingtoni dhe as nga Beogradi e gjetiu.

Por serbët thonë se nuk do të bashkëpunojnë me EULEX-in, por nuk do ta pengojnë punën e tij. A mund të krijojë situatë të palakmueshme për EULEX-in ky fakt, veçanërisht në veriun e Kosovës?

Do të shpresoja se mbi bazën e vendimit të marr nga qeveria në Beograd për të pranuar dhe miratuar vendosjen e EULEX-it në gjithë Kosovën, që Beogradi tani do të ndihmojë që popullata serbe në Kosovë, pa marrë parasysh nëse jeton në enklava apo në veri të lumit Ibër, do të inkurajohet të bashkëpunojë me EULEX-in. Unë pres që të ketë veprim të ndërmarrë nga Beogradi, nëse ai do të jetë këmbëngulës, me miratimin e tij politikisht të vendosjes së EULEX-it, atëherë popullata serbe duhet të dëgjojë porosinë që vjen nga Beogradi se nuk është vetëm në rregull, por është mirë për të gjithë që të bashkëpunohet me misionin.

Kjo, sepse misioni është atje për shkak të njerëzve, është atje për shkak të rendit dhe ligjit dhe ai nuk favorizon shqiptarët, serbët, turqit ose grupe të tjera etnike, por është aty për funksionimin e shoqërisë dhe për besimin në sistemin ligjor dhe administrativ që mund të punojë dhe që punon efektivisht për të gjithë individët dhe për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Shpresoj se kjo është ideja që do të trasojë rrugën në kokat edhe të atyre që tradicionalisht kanë punuar kundër kësaj ideje.

Por zoti ambasador, miratimi nga Beogradi erdhi vetëm pas kalimit të një plani gjashtëpikësh të OKB-së. Plan ky që u kundërshtua nga Prishtina zyrtare. A mund të shohin një ndarje funksionale mes shqiptarëve dhe serbëve pa marrë parasysh se mund të përdoren ligje të ndryshme në veri dhe në jug të Kosovës?

Unë shpresoj sinqerisht se nuk do të jetë kështu. Shpresoj se e kundërta do të ndodhë. Shpresoj se kur EULEX-i të marrë rolin e tij, ai do të jetë një rol në rritje. Ashtu siç ne në BE kemi synuar gjithmonë të marrin përsipër gjithnjë e më shumë, siç ishte kërkuar nga OKB-ja vitin e kaluar, për t‘i mundësuar Kombeve të Bashkuara të zvogëlojnë rolin e tyre në Kosovë dhe që BE-ja të luajë një rol më të madh. Kjo është e ardhmja dhe është në përputhje me dëshirën e të gjithëve, që unë njoh, në pozita udhëheqëse në Prishtinë dhe Beograd që të shikojnë drejt Brukselit dhe të ardhmes evropiane.

Mendoj prandaj se ka më shumë elemente bashkuese, nëse e shikojmë në një afat të gjatë, se sa elemente devijuese. Unë shpresoj se këto janë dallime në interpretime ligjore rreth p.sh paanshmërisë ndaj statusit. Unë shpresoj se këto çështje interpretuese nuk do të vënë në hije funksionimin efektiv të misionit që tani po mbulon gjithë territorin e Kosovës. Kjo është jetike meqë po flasim për tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm një pjesë të tij. Sipas pikëpamjes sime, ky është një hap në drejtim të duhur, sepse është kundër ideve të tilla si ndarja dhe është në favor të bashkimit të territorit.

Ambasador, a shënon vendosja e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës një lloj fillimi të bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Beogradit?

Do të shpresoja. Kam qenë në një konferencë në Berlin javën e kaluar, ku miku im, ministri i Jashtëm i Serbisë, mbajti fjalim dhe ku një mike tjetër e imja, zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, gjithashtu foli, dhe që të dy morën pjesë në të njëjtën konferencë. Natyrisht me interpretime të ndryshme se cilat duhet të jenë përparësitë, por mendoj se këta janë hapa të drejtë në drejtimin e duhur. Me shpresë në të ardhmen do të kemi më shumë njerëz nga Prishitna dhe Beogradi që nuk do të bërtasin në njëri- tjetrin, me një megafon diplomaci, por do të ulen së bashku rreth një tavoline dhe do të diskutojnë për aranzhmane praktike nga të cilat qytetarët e të dyja anëve të kufirit dhe posaçërisht njerëzit nga grupe të ndryshme etnike në Kosovë do të përfitojnë. Kjo është rruga përpara.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›