E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bllokada", 131 të huaj nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri

Policia kufitare nuk ka lejuar 131 qytetarë të huaj që të hyjnë në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë gjatë analizës së Drejtorisë së Kufirit, në Policinë e Tiranës. Burime zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë të ditur dje, se gjatë kësaj kohe janë bllokuar dhe 80 pasaporta shqiptare, 2 të personave të huaj. Gjatë analizës së djeshme është bërë e ditur gjithashtu se janë zhvilluar një sërë operacionesh nga ana e efektivave të kufirit, shumica prej të cilave nga ana e drejtorisë së Tiranës, ndërsa pjesa tjetër nga stacioni kufitar i Elbasanit. Gjatë aktivitetit të djeshëm, të zhvilluar te hotel "Tirana", kanë marrë pjesë edhe drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Analiza
Gjatë analizës, policia ka bërë të ditur rezultatet e mira të punës së saj gjatë periudhës 11-mujore, duke anashkaluar problemet e dala. Kështu, ndër rezultatet e arritura për vitin 2009 nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Tiranë, është strategjia e menaxhimit të integruar të kufijve, strategjia kombëtare e migracionit, plani vjetor i punës së departamentit të kufirit dhe migracionit, plani vjetor i punës të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Tiranë. Gjithashtu, në arritjet e kufirit gjatë këtij viti, është futur edhe përmirësimi i mjediseve të pritjes në DRKM dhe në Komisariatin e Policisë Kufitare, Aeroporti Rinas, vendosja e kamerave të sigurisë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, plotësimi në masën 100 për qind i detyrimeve të strategjisë 1-vjeçare të DRKM-së Tiranë. Gjatë analizës është diskutuar edhe për hyrje-daljet e qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, e problemet e dala gjatë punës. Kështu, sipas të dhënave zyrtare nga policia, gjatë 11 muajve të vitit 2009 janë bërë 131 prapësime të qytetarëve të huaj. Prapësimet janë bërë për shkak të mangësive në dokumentacionin e paraqitur në kufi dhe falsifikimin e dokumenteve për të hyrë në vendin tonë. Ndërkohë që janë kryer 97 kontrolle në territor, ku nga këto 21 janë kryer nga stacioni i Elbasanit dhe 76 nga sektori migracionit Tiranë. Janë bllokuar 80 pasaporta të pavlefshme të qytetarëve shqiptarë dhe 2 pasaporta të shtetasve të huaj.

Hetimi
Po ashtu, nga policia është bërë një punë edhe në kontrollin e qytetarëve të huaj, si dhe të afateve të qëndrimit të Republikës së Shqipërisë. Për personat që kanë rezultuar me shkelje, janë gjobitur në 54 raste edhe disa agjenci ajrore me vlerë 15 883 000 lekë për mosrespektim të ligjit për të huajt. Nga gjobat e vendosura shtetasve të huaj dhe shoqërive ajrore janë arkëtuar nga ana e uniformave blu, 16940 euro, 750 dollarë dhe 15 776 046 lekë të reja. Ndërkohë që të depërtuar në drejtim të vendeve nga kishin ardhur, 22 qytetarë të huaj. Nga ana e sektorëve të ndryshëm të kësaj drejtorie, janë përgatitur materiale informuese për shtetasit shqiptarë dhe të huajt në disa gjuhë të ndryshme. Nga ana e strukturave të hetimit të krimit pranë Komisariatit të Policisë Rinas janë referuar për këtë periudhe 11-mujore 151 vepra penale. Ndërkohë që në Prokurorinë e Rrethit Tiranë janë deleguar 98 dosje penale. Në gjykatë kanë përfunduar 104 dosje, të hetuara nga efektivët e Drejtorisë së Kufirit të Tiranës dhe janë ekzekutuar me masë administrative gjobë në masën nga 200 mijë - 400 mijë lekë. Ndërkohë që shqiptarë të sjellë nga vende të ndryshme janë 3271 qytetarë, të cilët janë të riatdhesuar dhe nga to janë daktiloskopuar 3301. Ndërkohë që në qendrën e pritjes në Linzë, janë dërguar 17 qytetarë të huaj, me dokumente të parregullta. Gjithashtu janë shpallur edhe numrat e kontaktit me Drejtorinë e Kufirit dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›