Forcat RENEA "mësyjnë" në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi.
OPERACIONI/ Ndërhyrja e forcave speciale është zgjedhur të bëhet në një orar kur nuk ka pasur pasagjerë
VLORË - Forcat RENEA kanë mbushur dje kalatën e trageteve të portit të Vlorës, në një operacion të një situate simuluese mbi një sulm terrorist në një nga tragetet e linjës Vlorë- Brindizi. RENEA ka ndërhyrë në tragetin "Veronika", ku forca të shumta kanë mundur të kapin një "grup" terroristësh brenda në traget.
Ata janë mbështetur nga mjete lundruese, dy helikopterë, ndërsa zhytësit kanë pasur qëllim çaktivizimin e eksplozivëve nënujorë. Ndërhyrja e forcave speciale është zgjedhur të bëhet në një orar kur nuk ka pasur pasagjerë.
Komandanti i RENEA-s, Luigj Vathi, pohon se kujdes të veçantë në këtë operacion i është kushtuar heqjes së eksplozivëve nënujorë, pasi presupozohet se në situata të tilla, terroristët mund të operojnë me këta eksplozivë.
Ata janë "eliminuar" nga 15 forca të RENEA-s, si dhe katër specialistë francezë. Operacioni është ndjekur nga një tjetër mjet lundrues nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi dhe përfaqësues të ambasadës franceze në Shqipëri.
Operacioni ka qenë pjesë e një bashkëpunimi ndërmjet dy policive homologe, dhe vjen pas një trajnimi nga specialistë francezë për ndërhyrjet e çaktivizimit të eksplozivëve në ujë. Emanuel Bourel, këshilltar i parë i Ambasadës Franceze, e ka vlerësuar këtë bashkëpunim, por edhe prezantimin e mirë të forcave shqiptare, të cilat i janë përgjigjur me mjetet dhe burimet e duhura këtij operacioni.
Ai është shprehur entuziast edhe për bashkëpunime të mëtejshme ndërmjet dy vendeve. Kreu i policisë së shtetit, Ahmet Prençi, ka falënderuar forcat RENEA që morën pjesë në këtë operacion, veprimet profesionale, por edhe bashkëpunimin. Sipas Prençit, janë angazhuar mbi 80 forca speciale për finalizimin e këtij operacioni.