Gjykata u "fal" 30 vjet burg katër të akuzuarve
"Trafiku i pistoletave"
Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Rahman Demajt, Artan Aliajt, Zamir Kotrit e Ahmet Feratit në total me 48 vite burg
Tre prej të pandehurve u dënuan për armëmbajtje pa leje, ndërsa për të akuzuarin në kërkim, Kotri, u kërkuan 9 vite burg
TIRANË- Për Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, tre nga katër të pandehur të arrestuar në një operacion për "trafik pistoletash" nuk e kanë konsumuar krimin, duke i dënuar ata vetëm për "prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake" në bashkëpunim.
Kështu një trupë e kësaj gjykate të kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova, pasi dëgjoi palët në proces, konkluzionet e prokurorisë, pretendimet e avokatëve dhe vetë të pandehurit, vendosi të deklarojë fajtor për "trafik armësh" vetëm njërin nga katër të pandehurit.
"Gjykata, pasi dëgjoi palët në proces dhe shqyrtoi provat e mbledhura nga akuza dhe mbrojtja në 35 seanca gjyqësore, vendosi të deklarojë fajtor për "trafik të armëve" vetëm të pandehurin Zamir Kotri, duke e dënuar me 9 vite burg.
Për të pandehurit Ahmet Ferati dhe Artan Aliaj, gjykata vendosi t'i deklarojë fajtorë ata për kryerjen e veprës penale të "prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake" në bashkëpunim, duke i dënuar me nga 3 vite burg secilin.
Për të pandehurin Rrahman Demaj, gjykata vendosi dënimin e tij për këtë vepër penale por me masën e dënimit prej 3 vitesh e 3 muaj heqje lirie, në një burg të sigurisë së zakonshme.
Ndaj tre të pandehurve Demaj, Ferati e Aliaj, para gjykatës nuk u provua se ata në bashkëpunim me të pandehurin Kotrri kanë konsumuar veprën penale të "trafikimit të armëve" të sekuestruara në momentin e arrestimit një vit më parë. Një seancë më parë, prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve, kërkoi të shpallë fajtorë të pandehurit dhe dënimin në total me 48 vjet burg.
"Gjatë fazës gjyqësore, u provua se të pandehurit Zamir Kotrri dhe Rrahman Demaj, kanë qenë organizatorët e trafikimit të katër pistoletave nga Kosova në Shqipëri. Për këtë veprim, kërkojmë nga gjykata që dy të pandehurit të dënohen me nga 13 vjet burg secili.
Ndërsa, u provua se të pandehurit Ahmet Ferati e Eduart Aliaj, kanë luajtur rolin e bashkëpunëtorëve të shit-blerjes së këtyre katër pistoletave të sekuestruara.
Për këto veprime, kërkojmë nga gjykata dënimin e tyre me nga 11 vjet burg secili,- ishte shprehur në fjalën e tij prokurori i çështjes. Të pandehurit kërkuan drejtësi, dhe nëpërmjet avokatëve, ata kanë kërkuar rivlerësimin e veprave penale të kryera prej tyre.
Ata pretendonin se nuk kishin të bënin me trafik armësh, por me "prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake". Kjo u pranua vetëm për të pandehurit: Ferati, Demaj e Aliaj, për të cilin gjykata kërkoi lirimin e menjëhershëm të tij.
Sipas vendimit, është provuar se i pandehuri Kotrri ka blerë në Kosovë katër pistoleta të tipit "Zastava" dhe "Minibloë" me kalibër 8 mm me një vlerë prej 50 euro.
Pas blerjes dhe futjes së tyre në rrugë ilegale në Shqipëri, ai në bashkëpunim me Rrahman Demaj, kanë organizuar shitjen e tyre në Shkodër, duke angazhuar të pandehurin Ahmet Feratin për t'i dërguar në kryeqendrën e veriut për t'i shitur 170 euro copën.
Pas informacioneve të marra nga policia, prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar arrestimin e tyre mesditën e 14 qershorit 2007, ku u kap në flagrancë me 4 pistoletat në çantë i pandehuri Ferati, i cili po i dërgonte në Shkodër, ku do t'i blinte Artan Aliaj, i cili u arrestua edhe ai më pas bashkë me Demajn. Zamir Kotrri ka mundur t'iu shpëtojë prangave të policisë dhe ndodhet në listën e të kërkuarve.
TË PANDEHURIT DHE MASA E DËNIMIT
Zamir KOTRRI, dënohet me 9 vite burg, u kërkua 13 vite
Rrahaman DEMAJ, dënohet me 3.3 vite burg, u kërkua 13 vite burg
Artan ALIAJ, dënohet me 3vite burg, u kërkua 11 vite burg
Ahmet FERATI, dënohet me 3vite burg, u kërkua 11 vite burg
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------
VENDIMI
Dënohen me 29 vite burg 4 të akuzuar, trafikuan 28 pistoleta
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, dënoi me 29 vjet burg katër të pandehurit që trafikuan nga Kosova në Shqipëri 28 pistoleta.
Paraditen e djeshme, menjëherë pas leximit të pretendimeve përfundimtare të mbrojtjes, togat e zeza të kësaj gjykate u tërhoqën për vendim, ku pas këshillimit vendosen që të pandehurin Bashkim Dervina i cilësuar si organizator i këtij rrjeti të dënohet me 11 vjet burg.
Për të pandehurin Bujar Doku, i cili kishte rolin e bashkëpunimit në këtë organizim, gjykata vendosi dënimin e tij me 10 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "trafikut të armëve" në bashkëpunim.
Ndërsa, për të pandehurit Fillim Palushi e Ardit Mane, gjykata vendosi dënimin e tyre me nga 4 vjet burg secilin për kryerjen e veprës penale të "prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake" në bashkëpunim.
Sipas gjykatës, këto vepra penale të pandehurit Dervina e Doku i kanë kryer në prill të 2007, kohë kur u arrestuan në pikën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, në "Vërmicë - Morinë", ku brenda makinës iu gjetën dhe sekuestruan 22 pistoleta të tipit "Minibloë" që kishin destinacion shitjen në tregun vendas në Shqipëri.
Ndërkohë, në mars të po 2007 policia arrestoi në rrugën "Don Bosko" dy të rinjtë Ardit Mane e Fillim Palushi me 6 pistoleta, në kohën që po tentonin të kryenin shit-blerjen e tyre. Pas përfundimit të hetimeve disamujore, prokuroria dorëzoi dosjen në gjykatë ku u zhvilluan rreth 52 seanca gjyqësore, deri në ditët e djeshme të dhënies së vendimit përfundimtar.
-----------------------------------------------------------------------------------------------
DOSJA
Hashash nga Lazarati për 10 mijë euro, mbyllet hetimit
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi hetimin në ngarkim të 5 të personave që tentuan të dërgojnë në Greqi në rrugë ilegale 35 kg hashash të blerë në Lazarat.
Sipas kërkesës për gjykim të prokurorit Adnan Xholi, katër të pandehurit Pajtim Hysllari, Idriz Derxho, Jetmir Madani dhe Oljan Muçollari, me veprimet e tyre kanë konsumuar veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.
I pandehuri i pestë i kësaj, Leonard Luzi, akuzohet se ka konsumuar veprën penale të "Moskallëzimit të krimit".
"Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Pajtim Hysllari ishte organizatori i këtij trafiku, i cili duke shfrytëzuar njohjen me Idris Derxhon nga Lazarati i kishte kërkuar këtij të fundit t'i shiste lëndë narkotike, për ta transportuar në drejtim të Greqisë më pas nga të pandehurit Jetmir Madani dhe Oljan Muçollari.
Më 17 dhjetor 2008 Hysllari dhe ia ka dorëzuar Derxhos 10 mijë euro për 35 kg hashash. Më pas, Hysllari ka komunikuar me Madanin, duke i lënë takim të nesërmen në mëngjes në "Virua" të Gjirokastrës për mallin.
I pandehuri Madani me makinën tip "Opel Vectra" me targa italiane BS 055 JE, ka vajtur më 18 dhjetor në vend takimin e lënë, ku ka ngarkuar bashkë me të pandehurin Hysllari në bagazhin e makinës 3 çanta me hashash dhe janë nisur për në Tiranë.
Më 19 dhjetor 2008 Hysllari, Madani, Luzi dhe Muçollari janë takuar në hyrje të kryeqytetit, dhe janë nisur për në Ersekë me destincion Greqinë. Në afërsi të vendit të quajtur "Çezma e Leskovikut" në Ersekë, policia ka kryer ndalimin e mjeteve dhe sekuestrimin e drogës prej 35 kg hashash, ku dhe janë arrestuar në flagrancë tre nga katër të pandehurit.