E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në protestë: Rrezikojmë diplomimin

VLORË/ Studentët e degës së anglishtes dhe infermierisë kanë reaguar pas vendimit për heqjen e "vjeshtës së vogël"

VLORË - Studentët e degës së anglishtes në universitetin "Ismail Qemali" dhe ata të infermierisë i janë bashkuar dje një bojkotimi të dytë, duke paralajmëruar edhe përshkallëzim të mëtejshëm të protestave, ndërsa janë shprehur se sot do të ndodhen para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.


Shkak, sipas tyre, është bërë sistemi i ri i provimeve në prag të diplomimit. Studentët shprehen se përveç faktit që u është mohuar e ashtuquajtura "vjeshta e vogël", çka i bën të rrezikojnë diplomimin, duke përsëritur vitin, e vetmja zgjidhje që u është dhënë, ka qenë frekuentimi i kurseve të verës, me pagesë. Kjo gjë është kundërshtuar prej tyre.


"Ajo që na ka shokuar sot, - thotë Vilsoni, një nga studentët, - ka qenë përgjigjja që kemi marrë nga zv.rektori: "Mund të largoheni, s'kemi nevojë për ju", fjalë këto që nuk dimë si t'i interpretojmë. Kemi kërkuar që sistemi i provimeve të jetë siç e kemi pasur për degën tonë. Ndërsa ka degë të tjera, të cilat kanë një periudhë kur mund të japin provimet, nëse nuk i marrim, do të na duhet të përsëritim vitin.


E kemi ngritur këtë problem, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje, madje nga ndonjë pedagog edhe kemi dëgjuar kërcënime".


Adela, studente tjetër e vitit të tretë të anglishtes shprehet: "Edhe pse nuk na i kanë bërë shumë të qarta këto ndryshime, na kanë thënë që mund t'i ndjekim lëndët të cilat s'i marrim në kurset e verës, në të cilat duhet të paguajmë.


Ne i kemi të llogaritura gjithë shpenzimet dhe mezi po ia dalim t'i paguajmë këto detyrime. Tani na shtohen edhe këto të kurseve të verës, kur fare mirë mund të kishim vjeshtën e vogël, siç ka ndodhur çdo vit".


Studentët kanë dërguar në rektorat një peticion, me anë të të cilit kërkonin plotësim të kërkesave të tyre.


Një përfaqësi studentësh të kësaj dege kanë marrë takim me zv.rektorin e universitetit të Vlorës, Ëngjëll Liçaj, të cilit i kanë parashtruar kërkesat. Studentët thanë se këto forma proteste do të vijojnë nëse kërkesat e tyre nuk gjejnë zgjidhje. Sot ata do ta zhvendosin protestën e tyre para Ministrisë së Arsimit.


"Na mbajnë edhe me fjalë se do të mbledhim senatin, në një kohë kur mësojmë se anëtarët e tij, disa janë në Francë dhe disa në Gjermani, dhe ne kemi vendosur pas gjithë këtyre protestave dhe mosreagimin, të bëjmë një protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, - thotë një nga studentët protestues.


Në kërkesën e tyre paraqitur MASH-it studentët kanë denoncuar indiferencën e krerëve të Universitetit të Vlorës, duke kërkuar një zgjidhje për problemin e tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›