E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon puna për lirimin e trotuareve nga ndërtimet

SHKODËR - Inspektorati ndërtimor pranë Bashkisë së Shkodrës ka vazhduar prishjen e ndërtimeve të kundraligjshme që kanë zënë trotuaret e hapësirat publike apo pengojnë realizimin e projekteve të bashkisë.


Tenda dielli, kioska apo dhe ndërtime prej betoni janë prishur në trotuarin në afërsi të universitetit "Luigj Gurakuqi", si dhe në afërsi të Urës së Bunës. Sipas drejtorit të këtij inspektorati, Roland Çomo, ndërtimet pa leje që kanë zënë hapësirat publike dhe ato që pengojnë punimet në kuadër të projekteve të Bashkisë së Shkodrës, do të prishen të gjitha.


"Vërehet se trotuaret zihen nga lokalet duke vendosur tenda dhe tavolina, dhe kjo bën që këmbësorët të jenë të detyruar të ecin në rrugën ku lëvizin dhe automjetet e shumta dhe ku jeta e tyre rrezikohet.


Po kështu, ka disa ndërtime që janë bërë në mjedise ku po ndërhyhet për rikonstruksion rrugësh apo fasada pallatesh, dhe këto kanë qenë objekt i aktivitetit tonë, i cili vazhdon pandërprerje",- u shpreh Çomo. Në Bashkinë e Shkodrës mësohet se shpejt do të fillojë zbatimi i projekteve për ndërtimin e segementit të dytë të unazës dhe të autostradës Shkodër - Han i Hotit, ku 4,7 km të saj janë në territorin e bashkisë.


Për të mos penguar punimet, të gjithë ato ndërtime pa leje që janë në kundërshtim me ligjin dhe pengojnë zbatimin e këtyre projekteve të rëndësishme, do të prishen. Gjatë aksionit të inspektoratit ndërtimor nuk ka pasur reagime kundërshtuese nga pronarët e objekteve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›