E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat me dy të plagosur në Burrel, dyshime për hakmarrje

BURREL- Dy persona janë plagosur pasditen e djeshme në qytetin e Burrelit, në lagjen e re, ndërsa policia dyshon se ngjarja ka si motiv hakmarrjen. Ismet Kola, 40 vjeç, dhe Bashkim Dervishi, 30 vjeç, kanë mbetur të plagosur pasi janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Njëri prej të plagosurve, 40-vjeçari Kola është në gjendje të rëndë për jetën dhe është sjellë me urgjencë në spitalin ushtarak në Tiranë. Plagosja e dy personave në këtë qytet, sipas policisë, ka ardhur për motive hakmarrje dhe dyshohet se mund të ketë lidhje me vrasjen e ish-policit Halit Dedja, i ekzekutuar në mes të dhjetorit të vitit të kaluar në kryeqytet, pranë banesës së tij pranë ish-uzinës “Enver”. Gjithsesi, policia është tepër e rezervuar në dhënien e informacionit mbi këtë ngjarje, autorët dhe motivet, për shkak të një konflikti të vjetër hasmërie që ka lindur prej vitesh mes Halit Dedes dhe ish- pjesëtarëve të bandës së Burrelit, të njohur ndryshe dhe si “Banda Kola”. Seria e gjatë e hakmarrjes mes familjeve të tyre ka nisur që më 1997 dhe kjo është pista kryesore mbi të cilën po heton policia e Burrelit dhe për dy plagosjet më të fundit në qendër të këtij qyteti. Halit Dedja, i ekzekutuar vitin e kaluar në Tiranë, ishte ish-oficer i forcave të ndërhyrjes së shpejtë të policisë shqiptare. Viktima njihej si një person problematik, dhe madje për shumë vite është cilësuar si “Kapo i Burrelit”. Mësohet se viktima ka patur hasmëri, pasi në familjen e tij janë vrarë 2 vëllezër. Banda e njohur me emrin “Dedja” në qytetin e Burrelit është krijuar përpara vitit 1997. Në krye ishin tre vëllezërit Dedja. Vëllai i madh i tyre, Haliti, i vetmi i mbijetuar nga seriali i gjatë i vrasjeve të ndërsjella me bandën Kola, ishte koka e grupit. Këta djem njiheshin si “të fortët e Burrelit” dhe me shumë para. Policia bën të ditur se viktima ka pasur precedentë penalë të mëparshëm, konkretisht në vitin 1997 është akuzuar se ka marrë pjesë në disa krime të organizuara nga grupe personash në zonën e Burrelit. Policia ka njoftuar se vëllezërit e viktimës Halit Dedja janë vrarë më parë. Dedja kishte kohë që drejtonte një shoqëri sigurimi policie private në Burrel, dhe prej pak kohësh jetonte në Tirane. Familja e Dedjas, gruaja, vajza dhe djali jetonin në Burrel. Vrasja e Halit Dedes ishte e fundit në serialin e gjatë të vrasjeve mes Dedajve dhe Kolajve në Burrel. Konflikti e ka zanafillën në vitin 1997, e në periudha të ndryshme kohore ka shkaktuar përgjakje e viktima të shumta nga të dyja familjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›