Forcat e Armatosura Shqiptare, rol të rëndësishëm në marrjen e ftesës për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut
Kryeministri Berisha: Reformat ekonomike dhe fiskale, ndër më impresionueset në Europë, rol të rëndësishëm në dhënien e ftesës
Kryeministri Berisha falënderoi Forcat e Armatosura Shqiptare për progresin e bërë drejt arritjes së standardeve të NATO-s dhe kontributin e pazëvendësueshëm të tyre në marrjen e ftesës për anëtarësim.
“Forcat tona të Armatosura kanë qenë në krahun më të avancuar të reformave për afrimin me NATO-n. Ato kanë bërë një progres shumë të madh drejt standardeve të ushtrive të NATO-s. Zgjerimi i përfaqësimit tonë në zonat e nxehta, shtimi i kontingjenteve, krahas atyre ekzistuese, rriti peshën e Shqipërisë në këto operacione dhe qartësoi një vullnet në rritje. Figura dhe emri i mirë që kanë bërë ushtarakët tanë në operacionet paqeruajtëse në zonat e nxehta ka qenë gjithashtu shumë mbresëlënëse për Shtabet dhe Forcat e Armatosura të vendeve aleate dhe ka ndikuar shumë pozitivisht në marrjen e vendimit. Pa reformat në Forcat tona të Armatosura përfaqësimi i shkëlqyer që ato i kanë bërë kombit dhe vendit në zonat më të nxehta të globit, marrja e ftesës nuk do të ishte e mundur,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për anëtarët e Forcave të Armatosura Shqiptare, oficerëve, nënoficerëve dhe drejtuesve të tyre, të cilët me përkushtimin e vendosmërinë e tyre do të arrijnë standarde të reja të domosdoshme për një vend anëtar të NATO-s. Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë t’i mbështesë reformat në FA.
Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu se një rol shumë të rëndësishëm në dhënien e ftesës për anëtarësim nga 26 vendet anëtare të NATO-s kanë pasur reformat ekonomike dhe fiskale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare. Ai i cilësoi ato ndër më impresionueset në Europë.
“Këto reforma, - tha Kryeministri - bënë të mundur angazhimin e të gjitha burimeve për reformat e kushtueshme në Forcat e Armatosura Shqiptare, rritjen e buxhetit mbi 2 për qind për to, avancimin e të gjitha projekteve, avancimin nga viti 2013 në 2010 të kompletimit të ushtrisë profesioniste.”
Kryeministri theksoi se reformat ekonomike dhe fiskale e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më tërheqës në rajon për investimet e huaja.
“Ftesa për anëtarësim në NATO dhe reformat në Forcat e Armatosura do të kishin qenë të pamundura, në rast se nuk do të kishin suksesin që kanë njohur reforma në financat dhe ekonominë e vendit, një nga reformat më impresionuese në Europë. Këto reforma ushtuan fuqishëm në mbarë Europën dhe botën. Revistat më prestigjioze ekonomike, Think Tanks më serioze kanë bërë vlerësimin maksimal për to. Ato e ngjitën Shqipërinë në çatinë e botës për sa i përket lirisë fiskale dhe e shndërruan Shqipërinë nga një vend, ndaj të cilit investitorët kthenin kokën, në një vend ku janë përqendruar investitorët e mëdhenj, më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit dhe po bëhet gjithnjë e më interesant,” u shpreh Kryeministri.
Nga mbledhja e qeverisë, Kryeministri i shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë, të cilët me reformat e ndërmarra shënuan ndryshime rrënjësore dhe cilësore në Shqipëri.