Kryeministri Berisha: Ftesa për anëtarësim në NATO, do të ishte e pamundur pa luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Kryeministri Berisha u shpreh se në themel të vendimit të vendeve anëtare të NATO-s për të ftuar Shqipërinë për anëtarësim ishin reformat e ndërmarra dhe veçanërisht lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha tha se “në themel të këtij vendimi historik, që morën në unanimitet të plotë 26 vendet anëtare të NATO-s, kryetarët e shteteve dhe qeverive të tyre, kanë qenë transformimet e mëdha të Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Por më përcaktues se çdo gjë tjetër, padyshim kanë qenë reformat e ndërmarra gjatë 2-3 viteve të fundit dhe, më saktë, frytet e qarta të këtyre reformave në vitin e fundit 2007. Por me gjithë ndryshimet e mëdha, pa luftën me tolerancë zero kundër kriminalitetit, pa guximin, trimërinë dhe përkushtimin të punonjësve të policisë së shtetit, të shërbimeve inteligjente, pa reformat e thella të këtyre institucioneve, sukseset spektakolare të kësaj lufte dhe konsolidimin e këtyre rezultateve, Shqipëria nuk do të mund ta merrte ftesën. Vërtet ne e nisëm me tolerancë zero, por duhej të bindnim të gjithë partnerët tanë se në këtë luftë nuk kishte kthim mbrapa dhe vullneti ynë ishte i çeliktë për të vazhduar përpara dhe shndërruar Shqipërinë në një vend me treguesit më të ulët të kriminalitetit në Europë.”
Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e institucioneve në luftën kundër kriminalitetit, që shkatërruan në një kohë të shkurtër mbi 200 grupe kriminale ndër më të fuqishmet në Europë, vendosën para ligjit mbi 900 anëtarë dhe bosë të tyre dhe e bënë Shqipërinë një vend të sigurt.
Ftesa, nënvizoi Kryeministri, do të ishte e pamundur pa luftën e vendosur kundër korrupsionit dhe rezultatet e qarta në këtë luftë. “Ftesa do të ishte e pamundur në rast se nuk do të ndërmerrej lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe nuk do të regjistroheshin rezultate të qarta dhe ndër më spektakolaret në këtë luftë.”
Kryeministri theksoi se pavarësisht rezultateve, lufta kundër korrupsionit do të forcohet.
“Kjo nuk do të thotë se është çrrënjosur korrupsioni. Përkundrazi lufta kundër tij duhet të forcohet. Por askush nuk mund të mohojë se në këtë luftë, me standardet e reja që kemi vendosur në funksionimin e administratës, ne e kemi nxjerrë atë jashtë konfliktit të interesit. Le të tregojnë se cilat janë monopolet e zyrtarëve, apo konflikti i interesit. Ne vendosëm standarde të reja në përdorimin e shpenzimeve operative, duke kursyer mbi 100 milion euro në këto shpenzime. Ne formatuam administratën dhe një qeveri më të vogël për frymë të popullatës, e cila shpenzon sot, si përqindje e PPB-së, pothuajse gjysmën e asaj që shpenzonin administratat e mëdha, përfshi këtu edhe fondin e pagave. Ne ia dolën çdo vit, duke luftuar korrupsionin, të çojmë një buxhet të dytë në parlament dhe të rrisim të ardhurat me 1.2 miliard dollarë nga lufta kundër kontrabandës, evazionit dhe informalitetit. Sërish këto fenomene persistojnë, por në një shkallë shumë herë më të vogël,” u shpreh Kryeministri duke falënderuar punonjësit e administratës që me punën, përkushtimin e bashkëpunimin e tyre bënë të mundur këtë ngjarje.