E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të bëjmë çdo përpjekje për të shndërruar sa më parë ftesën në anëtarësim të plotë

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, përgëzoi deputetët për përkushtimin dhe mbështetjen  që i dhanë procesit të reformave, të cilat bënë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.

“Ky vendim historik, pa diskutim ka në bazë transformimet dhe reformat e mëdha 16 vjeçare të këtij vendi, por në mënyrë absolute theksoj se përcaktuese kanë qenë reformat e ndërmarra nga kjo mazhorancë”, u shpreh Kryeministri.

Duke vlerësuar rolin qendror të parlamentit në miratimin e ligjeve, strategjive dhe përmirësimin e tyre, Kryeministri theksoi se viti 2007 faktoi se reformat u thelluan dhe se vullneti politik i mazhorancës, ishte për t'i vazhduar dhe konsoliduar më tej këto reforma, si një proces i pa rikthyeshëm.

“Gjatë këtij viti u dëshmua serioziteti më i madh në fushën e reformave. Një nga Ministrat e jashtëm të BE u shpreh se progresi  i reformave e shndërroi Shqipërinë në një shembull frymëzues për vendet e rajonit. Në këtë aspekt, parlamenti ka pasur një rol qendror në miratimin e ligjeve, vendimeve, strategjive, dhe përmirësimin e tyre", vijoi Kryeministri.

Kryeministri falënderoi gjithashtu deputetët e opozitës, të cilët me votën e tyre, si ne ligjin për drejtësinë, apo dhe në marrëveshje dhe ligje të tjera, kane kontribuar ne zhvillimin e reformave jetike per vendin.

Kryeministri theksoi se krahas rolit shumë të rëndësishëm diplomatik që luajtën institucione të tilla si ministria e Jashtme, ministria e Mbrojtjes, ministria e Brendshme, etj, një rol tejet të rëndësishëm në kompletimin e këtij procesi, ka luajtur edhe diplomacia parlamentare “Kur them diplomacia parlamentare nuk nënkuptoj këtu vetëm angazhimin e kryetares dhe të nënkryetarëve, por gjerësisht të komisioneve tona parlamentare. Deputetët tanë të delegacionit tonë në NATO, së bashku me opozitën janë kthyer me dy rezoluta të shkëlqyera, si nga Parisi, ashtu dhe nga Reikjaviku.” tha Kryeministri. 

Duke vlerësuar, ndër të tjera, rolin pozitiv të shoqërisë civile, si dhe të shumë institucioneve të tjera,  Kryeministri nënvizoi se reformat kanë shërbyer dhe shërbejnë si një forcë e rëndësishme shtytëse drejt këtij objektivi madhor.

Kryeministri ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, për të cilët, më shumë se për këdo tjetër, kjo ftesë garanton sigurinë  e të ardhmes së tyre, ashtu sic e meritojnë vendet e lira dhe shoqëritë e lira. “Qytetarët shqiptare kanë shumë të drejtë që gëzojnë, sepse tani e tutje, ata, fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve të tyre, do të kenë një të ardhme krejtësisht tjetër. Nuk do të kenë më një të ardhme të nëpërkëmbur, siç e kanë patur në të shkuarën, por do të kenë një të ardhme me dinjitet në liri, siç e meritojnë vendet e lira, shoqëritë e lira”, theksoi ai.

Duke besuar se bashkëpunimi i opozitës në vazhdimin e reformave të tjera të rëndësishme nuk do të mungojë, Kryeministri u shpreh se qeveria do të bëjë çdo përpjekje, për të shkurtuar sa më shumë të jetë e mundur kohën e shndërrimit të ftesës, në anëtarësim të plotë ne NATO.

“Shpresoj që edhe opozita është e vendosur të kontribuojë që të ecim ne reformën elektorale, ne reformën në drejtësi, në reformën ekonomiko - fiskale, reformën në ushtri, etj. Reformat kanë pasur një rezonim shumë të fuqishëm dhe një vlerësim vërtetë të madh. Reformat flasin, ato jehojnë dhe kjo ndodhi me reformat tona. Por, ne duhet ta konsiderojmë këtë vetëm një stacion, për të arritur një stacion tjetër më të madh."- u shpreh Kryeministri. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›