E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ftesa për anëtarësim në NATO, sjell përgjegjësi të reja

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO ishte jo vetëm moment besimi për Shqipërinë, por edhe përgjegjësie e detyrash të reja. 

“Në rast se ky ishte momenti i besimit më të madh që është vendosur mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në shekuj me radhë, marrja e ftesës është njëkohësisht edhe përgjegjësia më e lartë për ne,” u shpreh Kryeministri, i cili ia kushtoi hapjen e mbledhjes së parë të Këshillit të Ministrave, pas Samitit të Bukureshtit, ftesës për anëtarësim e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin me opozitën të rëndësishëm për marrjen e ftesës dhe veçoi si elementet më të rëndësishme të kësaj përgjegjësie klimën politike dhe kulturën e NATO-s.

“Bashkëpunimi me opozitën, - tha Kryeministri - ka pasur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në marrjen e ftesës. Kultura e NATO-s kërkon edhe integrimin, kërkon që këto dy projekte të kenë vetëm një debat si të përsosen, por kurrë si të bllokohen. Qeveria dhe opozita, pavarësisht nga numri i votave që ka dhe mund të kenë në të ardhmen, nuk duhet të mendojnë kurrë të ecin të ndara në këto dy projekte të mëdha, që janë mishërim i ëndrrave më sublime të shqiptarëve.”  

Kryeministri siguroi se mazhoranca do të jetë e gatshme për bashkëpunim me opozitën për realizimin e këtyre dy projekteve madhore.

“Dua të shfrytëzoj rastin për të garantuar opozitën se mazhoranca do të jetë plotësisht e hapur për të punuar bashkërisht në këto projekte. Kemi shumë probleme të tjera, për të cilat kemi këndvështrime të ndryshme dhe secili të mbrojë pikëpamjet dhe idetë e tij, por në këto dy projekte nuk jemi të ndarë,” u shpreh Kryeministri.

Duke folur për sfidat e reja pas marrjes së ftesës, Kryeministri vlerësoi si kryefjalën e këtij procesi përshpejtimin e reformave.

“Përgjegjësitë janë të mëdha dhe duhet të procedojmë me reformat. Secili të shpejtojë hapin e reformave. Nga negociatat që do të fillojnë dalin disa detyrime, që ne do t’i përmbushim një për një. Secili duhet t’i shohë reformat që duhet të kryejë si perpetum mobile e vendit dhe shoqërisë. Ishin reformat dhe vetëm ato që e bënë Shqipërinë një vend frymëzues. Të vlerësohesh si një vend frymëzues do të thotë të vlerësohesh si një vend që respektohesh, një vend serioz, që ka lënë mbrapa imazhin e nxirë dhe ka dalë në dritë.”

Detyrat e reja, nënvizoi Kryeministri, përfshinë të gjitha fushat dhe institucionet e vendit, si mbrojtjen, ekonominë, rendin, diplomacinë, arsimin, kulturën dhe mjedisin dhe për përmbushjen e tyre të gjitha institucionet duhet të vazhdojnë me të gjithë potencialin e tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›