Kryeministri Berisha feston me fëmijët romë Ditën Botërore të Romëve
Kryeministri Berisha me rastin e Ditës botërore të Romëve, priti sot në një takim miqësor një grup fëmijësh romë.
Fëmijët romë i përcollën Kryeministrit përshëndetjet e mbarë komunitetit romë të Shqipërisë në Ditën Botërore të tyre, si dhe falënderimet për mbështetjen, vëmendjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që Kryeministri dhe qeveria shqiptare tregojnë për romët dhe jetën e tyre.
Kryeministri Berisha përshëndeti me përzemërsi fëmijët romë për festën e tyre botërore, për lulet si dhe për mesazhin e tyre të urimit për ftesën e anëtarësimit në NATO, duke u shprehur se kjo fitore historike ishte dhe meritë e tyre dhe e mbarë popullit shqiptar.
Në mesazhin e këtyre fëmijëve romë për Kryeministrin shkruhej:
“Një vend pa ciganë është një vend pa liri, ndaj na lejoni që, duke përfituar nga rasti, t’ju përgëzojmë dhe shprehim mbështetjen tonë për ftesën e anëtarësimit në NATO”.
Kryeministri Berisha u shpreh se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë çdo përpjekje dhe do të ndërmarrin çdo hap që jeta e romëve shqiptarë të jetë sa më e sigurt dhe më e begatë, për të lënë kështu pas kohët e vështira ku komuniteti rom ishte viktimë e paragjykimeve dhe padrejtësive.
Në fund të takimit, Kryeministri Berisha shpërndau dhurata për fëmijët romë të ftuar, si dhe për fëmijët e tjerë të komunitetit rom.