E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet tubimin festiv me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot në mbrëmje tubimin festiv në sheshin “Skënderbe”, organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.

“Të dashur qytetare e qytetarë të Tiranës e të mbarë Shqipërisë,

Gëzuar festën, ditën e madhe të historisë sonë kombëtare, ftesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO!

Më 3 prill, kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të botës së lirë ftuan Shqipërinë për të zënë vendin e saj në Aleancën më të shkëlqyer politike dhe ushtarake që kohët kanë njohur në tërë historinë e tyre.

3 prilli ndan historinë e shqiptarëve nga kohërat e pasigurisë dhe të paudhësive të mëdha, në kohërat e lirisë dhe të së ardhmes. Zoti e bekoftë NATO-n!

3 prilli shënon fillimin e orës së NATO-s për shqiptarët, sigurinë më të madhe të lirive të  tyre, mundësinë e tyre për të ndërtuar të ardhmen si qytetarë të lirë të këtij kontinenti.

3 prilli shënon erën e NATO-s, erën e prosperitetit të sigurt të shqiptarëve. Shqipëria bëhet më e sigurt se kurrë në tërë historinë e saj. Besimi i madh që u vendon në Bukuresht mbi ne do të shpërndahet në të gjithë botën dhe Shqipëria do të shndërrohet në vendin e investimeve dhe projekteve të mëdha, në vendin e mundësive për të shfrytëzuar pasuritë e jashtëzakonshme të saj nga qytetarët shqiptarë.

Më 3 prill, shqiptarët rikthehen në familjen e madhe të kombeve që u përkasin. Ata shndërrojnë në realitet, në rrugën e tyre, ëndrrën shekullore të bashkimit të Shqipërisë e shqiptarëve me botën e qytetërimin perëndimor që i përkasin. Shndërrojnë në realitet ëndrrën e studentëve shqiptarë që në dhjetor të ’90-s mbushën rrugët e sheshet e Tiranës, me motivin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Shqipëria në NATO ishte ëndrra e tyre.

Qytetare e qytetarë të Tiranës,

Më 3 prill, udhëheqësit më të lartë të vendeve më të fuqishme të botës dëshmuan ndaj nesh besimin më të madh që kurrë nuk e kemi njohur më parë. Në Bukuresht u zotave dhe do të zotohem edhe këtu se së bashku do të punojmë për kulturën dhe standardet e NATO-s, për anëtarësimin e  plotë të Shqipërisë në NATO.

Qytetare e qytetarë të Tiranës,

Më 3 prill nisi shndërrimi në realitet i ëndrrës së madhe të rilindësve tanë. Shqipëria zonjë midis kombeve të tjera, ishte projekti i tyre më madhor. Shqipëria sot është zonjë mes vendeve të NATO-s.

Rroftë Shqipëria!

Zoti i bekoftë shqiptarët dhe flamurin e tyre!

Më 3 prill, Shqipëria vendosi aleancën më të madhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me fuqitë më të mëdha europiane dhe lidhet me to me një miqësi e vëllazëri për lirinë dhe të ardhmen.

Zoti i bekoftë vendet anëtare të NATO dhe kombet e tyre!

Qytetare e qytetarë të Tiranës,

Ftesa për në NATO është horizonti ynë i ri. Së bashku, horizonte të tjera të ndritura na presin. Edhe  një herë gëzuar këtë ditë për ju e për mbarë shqiptarët!

Faleminderit.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›