Forcat speciale amerikane ekzekutojnë kryeterroristin Osama Bin Laden. Obama: Vendosëm Drejtësinë. Berisha: Fitore e luftës kundër terrorizmit

UPDATE- Truri i Al Qaedas dhe organizatori i sulmeve të tmerrshme të 11 shtatorit të Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, Osama Bin Laden, është qëlluar me plumb në kokë
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama: Arritëm që drejtësia të vihej në vend
Berisha: Vrasja e Bin Laden, fitore e madhe e SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit Botëror
Kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto, përshëndet eliminimin e kryeterroristit Bin Laden
PAKISTAN- Njeriu më i kërkuar, simboli i terrorit, truri i tragjedisë së 11 shtatorit të 10 viteve më parë në Nju Jork, Osama Bin Laden, është vrarë. Lajmërimi i presidentit të SHBA-së Barak Obama direkt në televizion tronditi SHBA-në dhe mbarë botën. Lajmi merr dhenë. Në SHBA nis festa. Në mes të natës njerëzit dalin në rrugë dhe festojnë, me thirrjet në kor: “Usa, Usa, Yes ëe can”, (SHBA, SHBA, po ne mundemi) ndërsa valëvisin flamujt amerikanë. Pas 10 vitesh Amerika tronditet me një lajm që shënon fitoren të cilën askush nuk e priste pas shumë vitesh kërkime. Mësohet se Bin Laden është vrarë me një plumb në kokë. Operacioni final për arrestimin e Bin Laden është kryer sot në orët e para të mëngjesit në Abbotabad, në luginën Orash në veri të Islamadadit, dhe është drejtuar nga një grup ushtarakësh elitë, forca speciale amerikane, në përbërje të të cilit kishte dhe ushtarakë pakistanezë. Operacioni kundër rezidencës sekrete të kreut të Al Kaedës, 70 km në veri të Islamabadit ishte planifikuar në dy muajt e fundit. Në operacion bashkë me Osama Bin Laden kanë mbetur të vrarë dhe 4 persona të tjerë, mes tyre 3 burra, dhe një grua. Raportohet se një prej viktimave është i biri i Bin Laden. Trupat ushtarake kanë arritur të marrin si provë trupin e vrarë të Bin Ladenit, pamjet e para të të cilit janë transmetuar nga televizioni pakistanez TV Express, por disa faqe online dyshojnë për vërtetësinë e tyre. Mësohet se Bin Laden ka bërë rezistencë gjatë sulmit ushtarak.
Berisha: Vrasja e Bin Laden, fitore e madhe e SHBA-ve në luftën kundër terrorizmit Botëror
Shefi i ekzekutivit shqiptar, Sali Berisha, e ka cilësuar si një fitore të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj ndaj terrorizimit vrasjen e liderit të Al Kaedës, Osama Bin Laden. Berisha u shpreh se Osama Bin Laden mori atë që meritonte, ndërsa ka shtuar se vdekja e tij është një lehtësim për familjarët e mijëra viktimave të 11 shtatorit. “Këto ditë, në stofkën e tij, ai mori atë përgjigje që meritonte prej kohësh. Kjo është një fitore e madhe e SHBA dhe presidentit Obama, e paqes dhe të gjithë atyre që konsiderojnë terrorizmin si armikun numër një. Është një lehtësim për familjarët e mijëra viktimave të pafajshme”- ka theksuar kryeministri Berisha.
Bin Laden fshihej në një fortesë të bunkertë me vlerë 1 milionë dollarë
Bin Laden ka kaluar ditët e fundit të tij në një fortesë 1 milionë dollarëshe. Kjo është rezidenca e liderit të Al Kaedës në Abbotabad, në veri të Islamabadit, në Pakistan, e përshkruar nga një funksionar i Shtëpisë së Bardhë, “kemi mbetur të shokuar nga ajo që pamë, një godinë e jashtëzakonshme dhe e vetme”- ka shpjeguar për BBC funksionari i Shtëpisë së Bardhë. Siopas tij “struktura e ndërtesës kishte një vlerë afarësisht 1 milionë dollarëshe por nuk kishte lidhje telefonike apo interneti”. “Ndërtesa tre katëshe, me dritare të vogla dhe tarraca në katin e tretë kishte një mur mbrojtës të gjatë 2 metra”- raporton BBC.
Kërcënimi/Interpol: Ka rrezik terrorizmi në shenjë hakmarrje
Organizata e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, me seli në Lion të Francës, paralajmëroi sot për një rrezik më të lartë terrorist pas eliminimit të Osama bin Ladenit. Në një deklaratë për shtyp, organizata vlerëson se vdekja e Osama bin Ladenit krijon rrezik më të lartë terrorist nga ana e al-Kaedas apo terroristëve që frymëzohen nga al-Kaeda. “Terroristi më i kërkuar në botë nuk është më, por vdekja e Bin Ladenit nuk përbën zhdukjen e organizmave simotra të al-Kaedas apo të frymëzuara nga al-Kaeda, të cilat vazhdojnë dhe do të vazhdojnë të implikohen në sulme terroriste në të gjithë botë”- nënvizoi sekretari i përgjithshëm i Interpolit Ronald Noble, cituar në deklaratë. “Pra, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të përqëndruar në bashkëpunimin dhe luftën në të cilën jemi angazhuar, jo vetëm kundër këtij kërcënimi botërore, por edhe kundër terrorizmit të cilitdo grupi, kudo qoftë ai”- shton organizata.
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama: Arritëm që drejtësia të vihej në vend
Uashingtoni e ka konsideruar vrasjen e kryeterroristit Bin Laden si arritjen më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit botëror. “Vdekja e Bin Ladenit shënon një nga arritjet më të rëndësishme të vendit tonë në luftën kundër Al Kaedës. Por vdekja e tij nuk shënon fundin e përpjekjeve tona. Nuk ka dyshime se Al Kaeda do të vazhdojë të përpiqet të na sulmojë ne. Ne duhet dhe do të jemi vigjilent si brenda dhe jashtë”- tha presidenti Obama. Presidenti amerikan deklaroi se forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së Bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje. Obama falenderoi presidentin e Pakistanit Asif Ali Zardari për bashkëpunimin. “Ne duhet të rikonfirmojmë se Shtetet e Bashkuara nuk janë e kurrë nuk do të jenë në luftë me islamin. E kam bërë të qartë ashtu siç e tha dhe presidenti Bush pas 11 shtatorit se lufta jonë nuk është kundër islamit, Bin Ladeni nuk ishte udhëheqës i myslimanëve, por një vrasës masiv i myslimanëve. Al Kaeda ka masakruar myslimanë në shumë vende përfshi këtu tek ne. Ikja e tij do të mirëpritet nga të gjithë ata që besojnë tek paqja dhe dinjiteti njerëzor”- konludoi fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.
Kryediplomati shqiptar, Edmond Haxhinasto, përshëndet eliminimin e kryeterroristit Bin Laden
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet eliminimin e kryeterroristit Osama Bin Laden, gjatë një operacioni të suksesshëm të forcave amerikane. Në këtë ditë, populli shqiptar bashkohet me ndjenjat dhe solidaritetin e popujve të mbarë botës, që kanë vuajtur pasojat e akteve të pashembullta të terrorizmit ndërkombëtar, përfshi 11 shtatorin. Shqipëria, si një nga vendet e para që iu bashkua aleancës kundër terrorizmit ndërkombëtar, shpreh bindjen se qëndrimi i palëkundur në luftën kundër akteve terroriste dhe frymëzuesve të tyre, përbën kyçin e suksesit të luftës sonë të përbashkët për të siguruar paqen dhe lirinë në botë.
SHBA në festë
Mijëra njerëz janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë dhe në vendin ku dikur ishin kullat binjake në Nju Jork duke valëvitur flamuj amerikanë. Presidenti Obama përpara se të bëjë lajmin publik ka informuar presidentin Bush dhe Clinton. Presidenti Bush përmes një deklarate tha se kjo ishte “fitore e madhe për Amerikën”. Kryeminsitri britanik, ndër të parët që ka reaguar pas vrasjes së Bin Ladenit, ka thënë se vdekja e Bin Ladenit ka sjellë lehtësim të madh në të gjithë botën. Kryebashkiaku i Nju Jork, Mchael Blumberg tha se shpreson që lajmi të ndihmojë të afërmit e viktimave të 11 shtatorit.
...