E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria refuzon SHBA-në pë cështjen e ujgurëve

TIRANE- Çështja e ujgurëve përplas Shqipërinë me Kinën. Strehimi i të liruarve nga burgu i Guantanamos është kthyer së fundmi në një çështje delikate mes Tiranës dhe Pekinit. Agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ shkruante dje se Shqipëria ka pranuar të strehojë vetëm pesë ujgurë në vitin 2006 dhe ka refuzuar të tjerët për shkak të frikës së prishjeve të marrëdhënieve me Kinën.

Agjencia e lajmeve thekson se Shqipëria i frikësohet masave diplomatike të Pekinit në rastin e strehimit të ujgurëve të tjerë. Zv/kryeministri kinez do të nisë këto ditë një tur në Europë dhe pritet të vizitojë edhe Shqipërinë. Çështja mund të përfshihet në bisedimet që zëvendëskryeministri kinez, Zhang Dejiang do të zhvillojë me zëvendëskryeministrin shqiptar Ilir Meta, gjatë vizitës që do të bëjë këto ditë në Shqipëri. Ministria e Jashtme kineze nuk ka bërë të ditur axhendën e bisedimeve, por ka shumë mundësi që çështja delikate e strehimit të ujgurëve të jetë një temë e rëndësishme diskutimi.

Shqipëria është një ndër dy vendet që i ka pranuar ujgurët e konsideruar si të dyshuar për terrorizëm dhe që qëndruan për vite me radhë në burgun amerikan në territorin kuban.

Gjashtë ujgurë të tjerë janë strehuar në ishullin në Paqësor, Palau, por 13 mbetën ende në burg dhe kërkojnë të pranohen nga SHBA-ja. Së fundmi, Gjykata e Lartë në SHBA ka pranuar të shqyrtojë mundësinë që ujgurët të mund të kthehen në SHBA, nëse ata nuk kanë ku të shkojnë tjetër, pasi refuzimi i shumë vendeve për t’i pranuar i detyron ata të qëndrojnë në Guantanamo.

Shqipëria strehoi pesë ujgurët në vitin 2006, por dy vjet më parë nuk e pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të strehuar edhe 15 ish-të burgosur të Guantanamos.

Autoritetet shqiptare, të cilat u ofruan azil fillimisht 5 ujgurëve të liruar nga baza amerikane në ishullin kubanez, me vendimin e dytë refuzuan SHBA-në, duke iu bashkëngjitur 100 shteteve të tjera që nuk pranuan të strehojnë 15 ish-të burgosur të kampit famëkeq.

Njëri prej pesë ujgurëve që ndodheshin në Shqipëri, është larguar pak kohë më parë nga kampi i refugjatëve duke mbërritur në Suedi, ku ka kërkuar strehim.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›