E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcimi i marrëdhënieve ekonomike, prioritet i bashkëpunimit Gjermani-Shqipëri

Ambasadori i ri shqiptar në Berlin paraqiti letrat kredenciale tek presidenti i Gjermanisë
 
TIRANE - Ambasadori i ri shqiptar në Gjermani, Valter Ibrahimi, ka paraqitur këto ditë letrat kredenciale te presidenti i Gjermanisë Horst Koehler.
Valter Ibrahimi është 46 vjeçar dhe e ka filluar karrierën diplomatike qysh në vitin 1992. Ai u emërua në Berlin nga Vjena. Që nga marsi i 2006-ës e deri para pak kohësh ai ka shërbyer aty si ambasador i Shqipërisë në Austri. Marrëdhëniet me vendin e vogël gjermanofon, i cili në Evropë e kupton veten shpesh si patronazh të Ballkanit, ishin më të drejtpërdrejta. Prandaj edhe ambasadori i ri  pret që puna në Gjermani të ketë një natyrë tjetër.
“Interesi i drejtpërdrejtë i Austrisë në marrëdhëniet historike dhe vëmendja e saj ishte e një natyre të tillë që ofronte një kontakt të drejtpërdrejtë në nivele nga më të ndryshmet, ndërsa Gjermania ka përmasa gjigante në të gjitha aspektet: si të hapësirës gjeografike, numri i banorëve, ashtu edhe të potencialeve ekonomiko-financiare”,  thotë Ibrahimi në një intervistë për programin shqip të Deutsche Ëelles.
Këmbimet politike dhe kulturore mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë bërë tashmë rutinë, konstaton ai. Prandaj edhe objektivi kryesor i punës së tij do të jetë forcimi i marrëdhënieve ekonomike.
“Për fat të keq, shkëmbimet tregtare me Gjermaninë janë në nivel të dobët, pavarësisht se Gjermania renditet e pesta në nivelin e shkëmbimeve, por në vëllimin total, ato lënë për të dëshiruar. Partnerët kryesorë ekonomiko-tregtarë tanë janë fqinjët që janë anëtarë të Bashkimit Evropian apo edhe vendet e tjera, qofshin edhe ato aziatike”", thotë Ibrahimi më tej.
Një synim, për realizimin e të cilit ka ndër mend të punojë ai në mënyrë të veçantë, është ndryshimi i natyrës së bashkëpunimit ekonomik.
“Duke qenë se Gjermania është prezent pothuajse në çdo fushë ekonomiko-sociale të Shqipërisë, mendoj se ka vend për të kaluar nga marrëdhëniet e donacionit, të projekteve, në marrëdhëniet e investimeve direkt, pra të interesit. Interesi i Gjermanisë ka qenë tek infrastruktura, energjia, minierat”.
E pikërisht aty do të fokusohet edhe puna e Ibrahimit, konkretisht: tek joshja e kompanive të mesme.
“Shqipëria është një treg i vogël dhe me 3,4 milionë banorë. Ai mund të shkojë deri në katër milionë banorë dhe nuk është një treg që përputhet me interesin e investitorëve të mëdhenj gjermanë, por këtu ka vend për interesin e investitorëve të mesëm”.
Dy ambasada dhe një fushë me interes të përbashkët - ruajtja e gjuhës shqipe
Një rastësi e këndshme për ambasadorin e Shqipërisë është fakti, që vetëm një javë pas atashimit të tij, presidenti Koehler do të marrë letrat kredenciale edhe nga ambasadori kosovar në Gjermani, Vilson Mirdita. Ata përfaqësojnë dy shtete të ndryshme, por që tani e kanë piketuar një fushë me interes të përbashkët, kujdesi për ruajtjen e gjuhës shqipe tek shqiptarët e diasporës.
“Ka një vështirësi, sepse shpërndarja e komunitetit me origjinë nga Shqipëria është ndryshe nga ajo e komunitetit që vjen nga trevat e tjera shqiptare, Kosova, Maqedonia, apo Mali i Zi.  Kështu që duhen harmonizuar kërkesat, nevojitet bashkëpunim me institucionet tona dhe ato gjermane, por kërkohet edhe angazhimi dhe interesimi i vetë diasporës për këtë çështje”, vëren Ibrahimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›