E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini krijon “fraksion” tek LSI-ja, shmang vëmendjen nga manipulimet e kongresit

TIRANE - PS-ja, veçanërisht kreu në ikje i saj Edi Rama, ia arriti vetëm për dje, që të zhvendosë vëmendjen mediatike nga përpjekjet e tij për manipulimin e kongresit të jashtëzakonshëm të kësaj partie, në fund të këtij muaji.
Edhe vetë LSI-ja konstatoi dhe denoncoi dje këtë keqpërdorim të një grupi “fraksionistësh” të saj, nga ana e PS-së. “Qëndrimi më i fundit që mbajnë deklaruesit ose thënë më thjesht përfituesit më të mëdhenj të mundit dhe sakrificave të LSI-së dhe mijëra anëtarëve të saj, është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga kongresi i PS dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës pas betejës mafioze, manipulative dhe korruptive të tij ndaj LSI”, u shpreh dje Dritan Ylli, drejtori i Medias dhe Anëtarit të Kryesisë së LSI-së.
Zhvendosjen e kësaj vëmendje, Edi Rama e bëri duke përdorur zyrën e shtypit të PS-ës, e cila dje, luajti rolin e zyrës së shtypit për një grup të vetëshpallur “fraksionistë” të LSI-së.
Si rrallë ndonjë herë, ndihmësja e Armela Imerajt në zyrën e shtypit të PS-ës, ju ra dje në mëngjes celularëve të gazetarëve, jo për të njoftuar ndonjë daljetë mundshme publike të ndonjë drejtuesi të mundshëm të kësaj partie, por për të lajmëruar daljen publike para ndoca televizioneve të “fraksionistëve” të LSI-së, me në krye Pëllumb Xhufin e të pasuar nga Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi e Mustafa Muçi. Pas deklaratës disa minutëshe të Pëllumb Xhufit, sërish ndihmësja e Armela Imerajt, u kujdes të shpërndante kasetën filmike nëpër televizione që nuk mundën të asistonin dje në konferencën e shtypit të “fraksionistëve” të LSI-së.
Ajo që ndodhi në konferencën e shtypit, ishte më shumë se e pakuptimtë. Sepse, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi e Mustafa Muçi, kur kishin konsumuar mundësinë e të shprehurit në strukturat e LSI-së, zgjodhën të bëjnë një shoë publik, me qëllimin dhe shpresën e vetme të ndihmojnë Edi Ramën duke zhvendosur sadopak vëmendjen nga ai. “Forumet më të larta të LSI si Kryesia dhe Konventa Kombëtare kanë marrë vendime unanime, transparente në mbështetje të plotë të qëndrimit të saj për aleancën qeverisëse të integrimit, ndërsa deklaruesit e sotëm nuk kanë marrë pjesë në këto forume, për më tepër që kemi dëgjuar nga vetë Pëllumb Xhufi propozimin e tij në Konventën Kombëtare për mbështetjen e koalicionit me PD, por me kusht që LSI të jepte votat e saj dhe të mos merrte pjesë në qeverisje”, u shpreh më tej dje Dritan Ylli duke shpjeguar indiferentizmin e këtyre personave ndaj strukturave drejtuese të LSI-së.
Por, siç u mësua më pas, “pazari” kishte qenë shumë i ulët, për sa i përket gatishmërisë së “fraksionistëve” të LSI-së për të përdorur “astetet” e zyrës së shtypit të PS-ës.  Edi Rama, i cili për të mos lëshuar bashkinë e Tiranës, nuk ia mbajti të vihet në krye të garës për Kuvendin e ri, nuk mund të bëjë dot pa kushtëzuar “ndihmën” për “fraksionistët” e LSI-së, në këmbim të mbajtjes së ndoca njerëzve të tyre, në punë në bashki.
Për ata që nuk kuptojnë lëvizjet në qëndrimet e Pëllumb Xhufit, mësohet se dje e shiti shumë lirë veten para Edi Ramës. Duke qenë se Albana Dimitri, nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, është nusja e çunit të xhajës së tij, Pëlumb Xhufi, duket se është ndikuar nga ajo, për të bërë rolin e atij që flet, por nuk e dëgjon askush.
Sa për Ftaos Klosin dihet, bashkëshortja e tij punon prej kohësh në bashkinë e Tiranës.
Por edhe Sabit Brokaj e shiti veten shumë lirë dje, kur shfaqja më shumë si emër se sa si figurë dje, ishte një “borxh” që ai pritet të marrë nga nipi i tij, që punon në policinë bashkiake të Tiranës.
E një natyre tjetër, ka qenë pleksja e “të harruarit” Mustafa Muçi, sërish edhe ai në nivelin e të përmendurit vetëm të emrit, dje si “fraksionist” i LSI-së. I njohur dhe i mbajtur mend më shumë se një nga tre personazhet e “muskëtierëve” Muçi-Naçi-Baçi, Mustafa Muçi, i përfolur atëherë, jo aq për meritë të germës “ç” që kishte diku nga mesi i emrit të tij i artikuluar me përkëdheli, por është përfolur për afera korruptive, duket është lodhur nga koha e gjatë që ai nuk ka pasur mundësi të “ushtrojë” ndonjë aferë të mundshme korruptive me fondet publike, ka zgjedhur me sa duket, t’u bashkohet  interesave të lidhura me njerëzit që “menaxhojnë” të hollat e Edvinit, sikurse mund të jetë “patrioti” i tij Fidel Ylli.
Këtu ka vend për të marrë në konsideratë edhe zemërimin e Mustafa Muçit, që nuk mundi të ishte i pari në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Beratit. Dhe që prej atëherë kur me sa duke ishte vonë për të siguruar një vend të mundshëm “nderi” në listën e PS-ës, sigurisht për këtë qark, Mustafa Muçi ka mbajtur të fshehur zemërimin, për ta shpërthyer dje, me shfaqjen vetëm të një fraksioni sekonde, diku në ndonjë TV.
Sa për shfaqjen e Ndre Legisit dje përbri “atyre të katërve”, mund të quhet veçse një shfaqje aksidentale. Për mungesën e gjatë të Ndre Legisit si protagonsit në ecurinë e LSI-së, por që askujt nuk i ka rënë në sy, ajo e djeshmja ishte në kushtet e “faleni se nuk di se ç’bën”. Shkurt Ndre Legisi ka humbur busullën, nuk e di nga vjen e ku po shkon.
Por përpos qëndrimeve të kushtëzuara nga përfitime të vogla të Pëllumb Xhufit, Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Ndre Legis e Mustafa Muçi, zyrtarisht, drejtuesit e LSI-së konfirmojnë se programi i LSI ka prioritet madhor atdheun dhe interesat e tij, përkundër interesave të ngushta të disa personave.
“Duke qenë shumë të qartë për motivet e forta të përfitimit personal dhe aspak politik të deklaruesve qejfmbetur, që kanë prishur rehatinë e tyre verore në funksion të këtyre motiveve, duke kujtuar se programi i LSI ka prioritet madhor atdheun ne do të veprojmë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit dhe stabilitetit të tij politik dhe ekonomik dhe kurrë në funksion të atyre interesave të ngushta, personale dhe meskine, që kanë penguar zhvillimin dhe integrimin e tij”, konfirmoi në përfundim të deklarimit të tij Dritan Ylli, drejtori i Medias dhe Anëtarit të Kryesisë së LSI,-së.
 Reagimi dhe konfirmimi i LSI-së, erdhi dje pas pretendimit të një grupi të vetëshpallur “fraksionistë” të LSI-së, me në krye Pëllumb Xhifin dhe të përbërë nga Fatos Klosi, Sabit Brokaj, Mustafa Muçi dhe Ndre Legisi, të cilët kërkuan që Ilir Meta, të ndalojë sa më parë bashkëpunimin me Kryeministrin Sali Berishën dhe të riparojë vendimmarrjen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›