“Sistemi i drejtësisë i konsoliduar, rol në integrimin e vendit në BE”

Ambasadori i BE-së Ettore Sequi
Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi tha se shërbimi i noterisë ka një rol të rëndësishëm në konsolidimin e drejtësisë duke ndikuar në rrugën e integrimit të vendit drejt BE-së.
Sequi tha se konsolidimi i sistemit të drejtësisë, ndikon në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.
Sipas tij, shërbimi i noterisë do të ndihmojë në konsolidimin e shtetit ligjor.
“Ky event është i rëndësishëm jo vetëm për ju si profesionistë, por është i rëndësishëm edhe në kontekst më të gjerë siç është ai i fuqizimit të sektorit ligjor në Shqipëri por dhe në këndvështrimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian kërkon një vlerësim thelbësor të legjislacionit dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, u shpreh Sequi.
Kreu i delegacionit të KE në Tiranë theksoi gjithashtu se, noterët duhet të kenë personalitet, pavarësi dhe integritet në punën e tyre dhe dixhitalizimi i sistemit është një ndihmesë për punën e noterëve. Si të tillë noterët duhet të zotërojnë në të njëjtën kohë disa cilësi të rëndësishme: profesionalizmin, besnikërinë, pavarësinë, integritetin. Me gjithë ndryshimet, profesioni i noterit, ndoshta është profesioni më i unifikuar mes profesioneve të fushës së drejtësisë në të gjithë Bashkimin Evropian. Do të dëshiroja të mirëprisja dhe të inkurajoja, veprimet e marra nga qeveria për modernizimin e sistemit të noterisë si: - dixhitalizimin e regjistrit të noterit dhe ndryshimet ligjore, të cilat konsistojnë në fuqizimin e rolit të noterit dhe zvogëlimin e procedurave burokratike gjatë veprimeve të kryera me pasuritë e paluajtshme”, tha ai.
Ambasadori i BE-së mbylli fjalën e tij me frazën e motos së dhomës së Noterëve të Parisit. Edhe njëherë, më lejoni t’ju uroj shumë suksese dhe të rikujtoj këtu moton e dhomës së Noterëve të Parisit “Lex est quod notamus” ose; “Ligji është ajo që ne shkruajmë! Ajo që ne shkruajmë është qytetërim!”, përfundoi Sequi.