BSH: Kriza do rrisë nivelin e papunësisë
Niveli i papunësisë në vend do të rritet si pasojë e krizës globale. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, për shkak të vështirësive të sipërmarrjeve të biznesit, zhvillimet e ekonomisë reale gjatë vitit 2009 do të kufizojnë rritjen e të ardhurave të familjeve, nëpërmjet uljes së treguesve të punësimit në sektorin privat. “Treguesi i besimit të konsumatorit për tremujorin e fundit të vitit 2008, shfaqi rënie nën mesataren e tij historike. Pritjet e konsumatorëve për vitin 2009 shfaqin kushte më të vështira të punëzënies, duke qenë konsistente me pritjet e bizneseve. Gjatë vitit 2008 punëzënia është rritur duke shënuar 12.7 për qind, në fund të tremujorit të katërt të vitit”, thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë. Sipas BSH-së, me gjithë rritjen natyrale të forcave të punës në vend, sektori bujqësor e ka kompensuar këtë rritje me punësimin e 27 mijë personave shtesë, duke qenë sektori me kontributin kryesor në rritjen e punëzënies gjatë vitit. Në vlerësimin e këtij treguesi duhet marrë në konsideratë edhe përmirësimi i mënyrës së llogaritjes se tij. Gjatë vitit sektori privat jobujqësor ka kontribuar në punësimin e 8 mijë personave.