Ulqini pret panairin e librit
Në qytetin e Ulqinit, nis Panairi tradicional i Librit “Ulqini 2009”. Nga data 27 korrik – 2 gusht në shëtitoren buzë detit në Ulqin do të prezantohen titujt më të rinj në letërsinë shqiptare, por nuk do të mungojnë edhe titujt nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia apo Bosnja. Do të jetë ky panair që do të hapë “sezonin e librit” në qytete të ndryshme të Shqipërisë apo në Kosovë. Mbi 60 botues do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të panairit, ose do të dërgojnë botimet e tyre më të mira të përfaqësuara nëpërmjet agjencive të shpërndarjes së librit. Në Panairin e Librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6000 tituj librash, nga të cilët mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj., etj. Ndër shtëpitë botuese pjesëmarrëse mendohen të jenë “Ombra GVG”, “Gjergj Fishta”, “Skanderbeg Books”, “Toena”, “Fan Noli”, “Neraida”, “Bota Shqiptare”, “Uegen”, “Argeta” etj. Tanimë është traditë e panairit të librit në Ulqin, që të ketë në çdo edicion të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademikë, administrata shtetërore apo politika. Kështu në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve, apo ish-presidentët shqiptarë Rexhep Meidani e Alfred Moisiu. Këtë vit, në edicionin e 9-të të tij, të ftuar të veçantë dhe në qendër të vëmendjes së publikut bashkë me veprën e tyre do të jenë akademikët Ali Aliu nga Maqedonia, Shefkije Islamaj nga Kosova etj.